Bota

Trump thirrje grave shtatzënë: Mos e pini paracetamolin, pse në Kubë nuk ka autizëm?

Trump dhe zëvendësit e tij i këshilluan vazhdimisht gratë shtatzëna të përmbaheshin nga përdorimi i acetaminofenit dhe thanë se do t'i paralajmëronin mjekët kundër përdorimit të tij

E.K
Trump thirrje grave shtatzënë: Mos e pini paracetamolin, pse në
donald trump gjate konferences

SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump, ka bërë një deklaratë që ka tronditur komunitetin shkencor dhe opinionin publik.

Gjatë një fjalimi të mbajtur të hënën, Trump lidhi autizmin me përdorimin e paracetamolit (acetaminofen) gjatë shtatzënisë, pa ofruar asnjë provë shkencore që mbështet këtë pretendim.

I shoqëruar nga Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Robert F. Kennedy Jr. dhe kreu i Qendrave për Medicare dhe Medicaid, Dr. Mehmet Oz, Presidenti Trump ia hodhi fajin kryesor për rritjen e shkallës së autizmit qetësuesit të zakonshëm të dhimbjeve, i cili njihet edhe me emrin e tij të markës, Tylenol.

“Sipas një thashethemi, dhe nuk e di nëse është i vërtetë në Kubë nuk përdorin paracetamol sepse nuk e kanë. Epo, atje thuajse nuk ka autizëm”, tha Trump.

Ai shtoi më tej: “Merrni për shembull Amishët. Ata pothuajse nuk kanë autizëm.”

Trump pati gjithashtu vështirësi në shqiptimin e fjalës “acetaminofen”, përbërësit aktiv të ilaçit të njohur Tylenol, ndërsa këmbënguli që gratë shtatzëna të mos e marrin atë, duke mos përmendur asnjë alternativë për dhimbjet apo temperaturën gjatë shtatzënisë, shkruan Reuters.

Duke iu drejtuar Sekretarit të Shëndetësisë, Robert Kennedy Jr., një figurë e njohur për qëndrimet kundër vaksinimit, Trump shtoi:

“Bobby dëshiron të jetë shumë i kujdesshëm për atë që thotë. Unë nuk jam aq i kujdesshëm”, tha presidenti amerikan. 79-vjeçari pranoi se shumë nga deklaratat e tij janë “thjesht mendime personale”, duke theksuar se nuk është mjek, por flet sipas ndjesisë së vet.

Trump dhe zëvendësit e tij i këshilluan vazhdimisht gratë shtatzëna të përmbaheshin nga përdorimi i acetaminofenit dhe thanë se do t'i paralajmëronin mjekët kundër përdorimit të tij - në kundërshtim me atë që thonë në fakt bluzat e bardha. Në një deklaratë të bërë publike, prodhuesi i Tylenol, Kenvue, i kundërshtoi pretendimet e administratës.

"Ne besojmë se shkenca e pavarur dhe e besueshme tregon qartë se marrja e acetaminofenit nuk shkakton autizëm", thuhet në deklaratë. "Ne nuk pajtohemi me çdo sugjerim tjetër dhe jemi thellësisht të shqetësuar për rreziqet shëndetësore dhe konfuzionin që kjo paraqet për nënat shtatzëna."

Gjatë konferencës për shtyp, zyrtarët përmendën një studim të kryer nga Universiteti i Harvardit dhe studiues të tjerë, i cili zbuloi se gratë që raportuan se kishin marrë acetaminofen gjatë shtatzënisë, dukeshin pak më të prirura të kishin një fëmijë që më vonë u diagnostikua me autizëm.

Trump ka përsëritur në disa raste dyshimet e tij ndaj vaksinës MMR (fruthi, shytat dhe rubeola), duke propozuar që të ndryshohet kalendari i vaksinimit të fëmijëve. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB