NORVEGJI-Norvegjia ka nisur një hetim ndaj ish-kryeministrit Thorbjorn Jagland, nën dyshimin për korrupsion që rrjedh nga kontakti i tij me financierin amerikan dhe abuzuesin seksual Jeffrey Epstein. Mediat e huaja raportojnë se hetimi vjen pasi dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara javën e kaluar zbuluan vite komunikimesh midis Jagland, i cili shërbeu si kryeministër i Norvegjisë nga viti 1996 deri në vitin 1997, dhe Epstein, duke përfshirë email-e që sugjeronin se ai qëndronte në shtëpinë e Epstein.
Ai përmendet disa herë në një mori dosjesh të publikuara javën e kaluar nga autoritetet amerikane, ku mes tyre zbulohet edhe një email i datës 25 maj 2012, i cili tregon se Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës në atë periudhë, i ka dërguar një mesazh Jeffrey Epstein, pas një vizite zyrtare në Shqipëri.
Në komunikimin elektronik, Jagland shkruan shkurt: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”

Email-i është dërguar më 25 maj 2012, ndërsa vizita zyrtare e Jagland në Shqipëri është zhvilluar më 24 maj 2012, sipas axhendave dhe burimeve publike. Email-i i publikuar nuk përmban detaje mbi takime private apo aktivitete jashtë axhendës zyrtare të vizitës në Tiranë.
Në një email tjetër nga janari 2013, ish-kryeministri shkroi për planet për të vizituar ishullin privat të Epstein në Karaibe me gruan dhe djemtë e tij, duke shtuar: “Nuk mund ta vazhdoj vetëm me gra të reja, siç e dini.”
Agjencia norvegjeze kundër korrupsionit, Okokrim, tha se i kërkoi Ministrisë së Jashtme të heqë imunitetin e dhënë Jagland si ish-diplomat. Shefi i Okokrim, Pal Lonseth, tha se hetimi do të përqendrohet në faktin nëse Jagland ka marrë dhurata ose favore në lidhje me pozicionet e tij./ZËRI
