
SHBA- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka bërë reagimin e tij të parë pas takimit me Donald Trump. Në rrjet social në "X", Zelenskyy ironizoi duke shprehur shumë herë falenderime. Kjo sepse si Trump, edhe zëvendëspresidenti i tij, J.D. Vance iu drejtuan presidentit ukrainas që të tregohej më falenderues ndaj tyre.
Zelenskyy: Faleminderit Amerikë, faleminderit për mbështetjen tuaj, faleminderit për këtë vizitë. Faleminderit president, Kongres dhe popull amerikan. Ukraina ka nevojë për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, dhe ne po punojmë pikërisht për këtë.
Çfarë i tha Vance dhe Trump?
Takimi më pas mori një kthesë të papritur, pasi Trump i tha Zelenskyy-t në një moment se ai duhet "të jetë mirënjohës", madje dhe e akuzoi se po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore. Në raportimet e mediave të huaja pretendohet se këtu ka ndërhyrë edhe zëvendëspresidenti JD Vance, i cili akuzoi Volodymyr Zelenskyy-n.
“A keni thënë faleminderit një herë të vetme?,”- e pyeti ai. Teksa presidenti ukrainas kthen përgjigje, ndërhyn sërish JD Vance dhe e akuzon se nuk e ka falenderuar për mbështetjen, pavarësisht falënderimeve të përsëritura nga Zelenskyy ndër vite për të gjithë vendet që e kanë ndihmuar Ukrainën./ZËRI