Bota

Rrëmbimi i ish-agjentit të FBI, në kërkim ish-ambasadori iranian që u dëbua nga Shqipëria! Publikohen imazhet e 3 agjentëve të dyshuar

Zyra e FBI-së në Uashington ka publikuar këtë të hënë postera, ku shfaqen imazhet e 3 oficerëve të inteligjencës iraniane: Gholamhossein Mohammadnia, Reza Amiri Moghadam dhe Taghi Daneshvar. 

zh.ll
Rrëmbimi i ish-agjentit të FBI, në kërkim ish-ambasadori
Tre agjentët iranianë

SHBA- Ish-ambasadori i Iranit në Shqipëri, Gholamhossein Mohammadnia, është një nga agjentët iranianë që dyshohet se është përfshirë në rrëmbimin e agjentit të FBI-së, Robert Levinson. Zyra e FBI-së në Uashington ka publikuar këtë të hënë postera, ku shfaqen imazhet e 3 oficerëve të inteligjencës iraniane: Gholamhossein Mohammadnia, Reza Amiri Moghadam dhe Taghi Daneshvar. 

Të tre këta, dëshohet se janë të përfshirë në rrëmbin e agjentit special të pensionuar të FBI-së, Robert A. “Bob” Levinson, nga ishulli Kish në Iran, më 9 mars 2007. Publikimi i posterave që kërkojnë informacion, është pjesë e hetimit të vazhdueshëm të FBI-së.

Mohammadnia është një zëvendës i lartë në ministrinë e inteligjencës i cili shërbeu si ambasador iranian në Shqipëri në vitin 2016, përpara se të dëbohej nga Shqipëria dy vjet më vonë për "dëmtim të sigurisë së saj kombëtare", sipas FBI-së. Agjencia amerikane tha se Mohammadnia udhëhoqi një iniciativë për të fajësuar zhdukjen e Levinson "një grup terrorist në rajonin e Baluchistanit të Pakistanit për të larguar fajin nga qeveria iraniane".

Moghadam është ambasadori aktual iranian në Pakistan dhe më parë drejtoi njësinë e operacioneve të Ministrisë iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë në Teheran, një agjenci anëtarët e së cilës FBI-ja i ka akuzuar për ndihmë në orkestrimin e rrëmbimit të Levinson. 

Daneshvar përshkruhet nga FBI si një oficer i rangut të lartë në ministrinë iraniane të inteligjencës i përfshirë në aktivitete kundërspiunazhi. Rreth kohës kur Levinson u zhduk, ai dyshohet se mbikëqyri punën e  Mohammad Baseri , një tjetër oficer iranian i inteligjencës të cilin qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka akuzuar për rrëmbimin. 

"Këta tre oficerë të inteligjencës ishin ndër ata që dyshohet se lehtësuan rrëmbimin e Bobit në vitin 2007 dhe mbulimin e mëvonshëm të ngjarjes nga qeveria iraniane. Bobi ka të ngjarë të ketë vdekur më vonë në robëri larg familjes, miqve dhe kolegëve të tij", tha Steven Jenson, ndihmësdrejtori përgjegjës për zyrën e FBI-së në Uashington, në një deklaratë. "FBI-ja do të vazhdojë ndjekjen e saj të pandërprerë për të mbajtur përgjegjës këdo të përfshirë në rrëmbimin e tij për veprimet e tyre të dënueshme."

Që nga zhdukja e Levinson, SHBA-të kanë mbajtur qëndrimin se agjenti në pension u rrëmbye gjatë një misioni të paautorizuar të CIA-s në Iran dhe më pas u ndalua padrejtësisht nga qeveria iraniane. Besohej se Levinson ishte gjallë për vite me radhë, derisa zyrtarët amerikanë në vitin 2020 thanë se inteligjenca tregoi se ai mund të ketë qenë i vdekur "për një farë kohe".

Moghadam, Daneshvar dhe Mohammadnia u sanksionuan nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së në mars për dyshimin se luajtën një rol në "rrëmbimin, vdekjen e mundshme të Levinson dhe përpjekjet e Iranit për të mbuluar ose errësuar përgjegjësinë e tyre", tha agjencia federale në një njoftim në atë kohë.

Posterat e fundit që kërkonin informacion pasuan dy të tjerë të publikuar nga FBI në dhjetor, për Baseri dhe Ahmad Khazai, të dy oficerë të lartë të inteligjencës iraniane që mendohet se janë përgjegjës për rrëmbimin, ndalimin dhe vdekjen e mundshme të Levinson. Autoritetet federale i kanë përshkruar burrat si oficerë të rangut të lartë në ministrinë iraniane të inteligjencës. Të dy u sanksionuan gjithashtu nga qeveria amerikane.

Poll

MOS HUMB