Bota

Albini merr “bekimin” e LVV-së, propozohet sërish për kryeministër! Kurti prezanton programin e qeverisë së re

Kurti është propozuar me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur të dielën.

Redaksia Zëri
Albini merr “bekimin” e LVV-së, propozohet sërish për
albin kurti

KOSOVË- Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurtin – njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës – për një tjetër mandat në krye të Qeverisë. Kurti është propozuar me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur të dielën.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, Kurti mbajti fjalën e tij, teksa prezantoi programin në mandatin e ri qeverisës. Kurti tha se transporti publik është në fokusin e programit. Në fjalën e tij, Kurti premtoi se në këtë fushë do të kërkohet më shumë angazhim gjatë mandatit të ardhshëm. 

“Do të nisim me përjetësimin e programit anembanë. Do të krijojmë rrjet të integruar në gjithë territorin e vendit. Bileta do të jetë e subvencionueshme dhe me 10 euro të gjithë do të jenë në gjendje të udhëtojnë anembanë. Do të investojmë mbi gjysmë miliardi euro në Brezovicë. Do të sigurohemi që të bëhet e famshme në mbarë botën. Do të mbështesim sipërmarrësit e diasporës”, ka thënë ai.

Kurti foli për pagat, duke theksuar se ajo minimale do të rritet mbi 500 euro. Gjithashtu ai shtoi se gjyshërit që kujdesen për nipërit dhe mbesat do të marrin 100 euro shtesë çdo muaj.

“Paga minimale do të rritet mbi 500 euro. Për veturat e importuara nga BE-ja do të heqim taksën për 10 për qind. Do ta themelojmë fondin e sigurimeve shoqërore nga i cili do të themelohet pagesa për pushimin e lehonisë. Në mandatin e ri do të shtojmë bursat e mobilitetit. Do të dyfishojmë buxhetin e bursave. Do të nisim ciklin e boneve për fëmijët që hyjnë në kopshtet private”, ka thënë ai.

VV e ka marrë këtë vendim vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime për zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Masa do të jetë në fuqi nga 5-30 shtator. Ajo është kritikuar nga LVV-ja, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.

Teksa e ka propozuar Kurtin, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, i ka kritikuar dhe fajësuar partitë tjera të mëdha shqiptare për krizën institucionale./ZËRI

Poll

MOS HUMB