PRISHTINË- Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot përmes një konference për media se, duke nisur nga dita e hënë, do të ndërpriten linjat e autobuzave brenda kryeqytetit. Rama u shpreh se kjo vendimmarrje është pasojë e bllokimit të fondeve nga qeveria e Kosovës dhe se një situatë e tillë po ndodh për herë të parë në vend.
Sipas tij, buxheti për kryeqytetin është ndalur për arsye politike nga qeveria Kurti, konkretisht nga Ministria e Financave. Ai theksoi se Komuna e Prishtinës ka kërkuar alokimin e fondeve për më shumë se një vit, por kërkesat e saj nuk janë marrë parasysh. Kryetari Rama bëri thirrje që institucionet të ndërhyjnë sa më shpejt për të zhbllokuar situatën.
“Sapo përfundova takimin me ndërmarrjen e transportit publik dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të vihen në rrezik për shkak të çështjeve politike. Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë qytetarët të rrezikohen deri në këtë shkallë. Për herë të parë po ndodh që qeveria qendrore t’i bllokojë hyrat vetanake të Kryeqytetit, duke cenuar shërbime jetike. Bëhet fjalë për funksione elementare për mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve tona. Më shumë se një vit kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe në përputhje me ligjin alokimin e buxhetit për Kryeqytetin. Asnjë kërkesë nuk është trajtuar,”- tha Rama.
Reagimi i ndërmarrjes publike komunale Trafiku Urban ka qenë i menjëhershëm. Ajo sqaroi se ndërprerja e transportit publik ndodh për shkak të mungesës së pagave dhe karburantit, dhe se rikthimi në funksion do të bëhet vetëm pas alokimit të mjeteve të bllokuara nga Ministria e Financave.
“Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburantit, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet financiare ndaj ndërmarrjes. Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme,” -thuhet në njoftim./ZËRI