Bota

Pezullimi i dialogut strategjik SHBA- Kosovë/ Reagime nga liderët politikë në vend: Duhet unitet politik

Në një deklaratë publike ditën e djeshme Ambasada Amerikane në Prishtinë njoftoi se pezullim dialogut ka një afat të pacaktuar, pasi sipas tyre veprimet e qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta mes dy vendeve.

l.k
Pezullimi i dialogut strategjik SHBA- Kosovë/ Reagime nga liderët
foto ilustruese

KOSOVË- Pas pezullimit të dialogut stategjik SHBA- Kosovë, pati reagime të menjëherëshme që nga presidentja Vjosa Osmani, opozita dhe përfaqësues të qeverisë në Kosovë.

Menjëherë pas deklaratës nga Ambasada Amerikane në Prishtinë ka reaguar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shprehu shqetësimin për vendimin e SHBA-ve për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke u zotuar se është e gatshme të angazhohet për të rikthyer bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ka bërë thirrje për unitet politik.

“Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar. Drejt këtij qëllimi, angazhimi i Presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar Presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve.

Dialogu Strategjik u iniciua nga Presidentja në vitin 2021, përmes një propozimi të adresuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i Presidentes u rikonfirmua në qershor 2022, me anë të notës verbale dhe gjatë takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, në korrik të po atij viti.

Pas punës së jashtëzakonshme të ekipit të Presidencës dhe të Departamentit të Shtetit, ky proces u finalizua me konfirmimin përfundimtar në takimin mes Presidentes Osmani dhe Departamentit të Shtetit, në janar 2025.

Çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot.

Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë.

Dialogu Strategjik i arritur në janar 2025 është një mekanizëm tejet i çmuar i këtij bashkëpunimi. Në këtë frymë, Presidenca e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes.”, deklaroi ajo.

Reagimi erdhi edhe nga qeveria e Kosovës, përmes zëdhënësit Përparim Kryeziu, i cili ka theksuar se Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse SHBA-ve dhe falenderuese për atë që i ka dhënë dhe se mirëpret çdo kritikë. Kjo deklaratë vjen pasi javët e fundit, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe zyrtarë të lartë të partisë së tij, e kanë kritikuar edhe Gjykatën Kushtetues duke theksuar se ky institucion është e afërt me partitë opozitare në Kosovë.

“Qeveria jonë ka qenë e para që ka përmbushur mandatin e plotë që nga shpallja e pavarësisë. Kjo i ka kontribuar stabilitetit institucional dhe zhvillimit socio-ekonomik të vendit, përkundër gjitha sfidave globale që kemi përjetuar nga viti 2021 e tutje, përfshirë këtu pasojat e pandemisë, krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë.

Veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Stabiliteti që gëzojmë sot është rezultat i natyrshëm i sundimit të ligjit dhe rendit publik. Në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim ligji e luftim krimi e korrupsioni në gjithë territorin e Kosovës. Në të kaluarën, stabiliteti është synuar në kurriz të sundimit të ligjit dhe rendit publik, rrjedhimisht kemi pasur stabiliteti të rrejshëm. Kjo është dëshmuar më së miri në ngjarjet dhe protestat e dhunshme të majit të vitit 2023 në të cilat individë dhe grupe kriminale nuk kursyen as pjesëtarët e KFOR-it dhe të EULEX-it në sulmet e tyre. Ndërkaq sulmi terrorist dhe paramilitar në Banjskë në shtator të po atij vitit, me përfshirjen e drejtpërdrejt të shtetit të Serbisë, e ka shpërfaqë para të gjithë botës se kush dhe ku në fakt është burimi i destabilitetit në rajon. Shprehim bindjen tonë të thellë se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon.

Ne e kemi depolitizuar integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës. Vullneti i bashkëqytetarëve tanë për integrim nuk ka munguar asnjëherë. Por ai shpesh ka qenë i sfiduar e i shtypur nga struktura ilegale e grupe kriminale. Ne jemi përballur me strukturat e Serbisë në Kosovë jo me serbët e Kosovës. Asnjëherë nuk i kemi barazuar qytetarët serb në Kosovë me strukturat ilegale e paralele të Serbisë në Kosovë. Përkundrazi, ne i kemi mbrojtur dhe i mbrojmë bashkëqytetarët tanë serb nga po këto struktura që për shumë gjatë janë përdorur si mekanizma dhe instrumente frikësimi, kërcënimi e kontrolli. Në të njëjtën kohë, duke i zëvendësuar ato me institucionet të Republikës së Kosovës jemi siguruar që nuk ka vakuum të shërbimeve. Gjithashtu jemi angazhuar për integrim të qëndrueshëm të serbëve në shoqërinë dhe institucionet tona, sidomos nëpërmjet punësimit dhe arsimit, siç është rasti me masën për punësim për banorët e katër komunave në veri të vendit dhe verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së veriut me qëllim lehtësimin e punësimit të bashkëqytetarëve nga radhët e komunitetit serb, krahas masave të tjera e të shumta sociale nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt pjesëtarët e këtij komuniteti.

Sa i përket kritikave publike të kryeministrit ndaj Gjykatës Kushtetuese, është qëndrimi i tij i hapur se me vendimet e saj, Gjykata Kushtetuese e ka cenuar karakterin demokratik të Republikës së pavarur, dhe se me joefikasitetin e saj në trajtimin e lëndëve është bërë bashkëpjesëmarrëse në agjendën e partive politike opozitare për të vonuar reformat themelore të paraparë në programin qeverisës. Rikujtojmë se aktualisht janë 18 ligje ende pa ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë në pritje të shqyrtimit të paktën qe 9 muaj, me theks te Ligji për Fondin Sovran që është pa përgjigje më shumë se 1 vit e 8 muaj.

Ne i jemi gjithmonë mirënjohjes për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tonë në aq shumë fusha. I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona.”, shkruan zëdhënësi.

Tre liderët opozitarë, ai i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Ramush Haradinaj, kritikuan ashpër qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti. Gjithashtu mediat në Kosovë kanë raportuar se tre liderët mbrëmjen e djeshme janë ftuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, por takimi është zhvilluar pa prezencën e mediave.

Në një deklaratë publike ditën e djeshme Ambasada Amerikane në Prishtinë njoftoi se pezullim dialogut ka një afat të pacaktuar, pasi sipas tyre veprimet e qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta mes dy vendeve. Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën ndodhi në ditën kur autoritetet kosovare e ndaluan punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë në Mitrovicë të Veriut./ZËRI

Poll

MOS HUMB