
ROMË- Gjendja shëndetësore e Papa Françeskut, i cili po trajtohet në spitalin "Gemelli" në Romë me një infeksion respirator, është cilësuar si “komplekse”. Sipas një njoftimi të Vatikanit, rezultatet e analizave të ditëve të fundit konfirmuan ekzistencën e një infeksioni polimikrobik, i cili solli modifikimin e mjekimeve të tij.
“Të gjitha testet e deritanishme tregojnë një profil kompleks klinik, i cili kërkon shtrimin në spital,”- thuhet në deklaratën e Vatikanit, duke sugjeruar se qëndrimi i Papës në spital do të jetë më i gjatë se sa ishte parashikuar fillimisht. Sipas "Ansa", aktualisht nuk ka një datë për kthimin e tij në Santa Marta, rezidenca e tij në Vatikan. Megjithatë, vlerësohet se një gjë e tillë nuk do të ndodhë para mesjavës, ndaj audienca e së mërkurës, më datë 19 janar, u anulua nga Selia e Shenjtë.
Papa Françesku ka bërë një sërë vizitash në spital vitet e fundit dhe ka kryer një operacion abdominal në vitin 2023. Por ka shqetësuar edhe me paraqitjet e tij të fundit, ku është shfaqur i mavijosur edhe në fytyrë.
Sipas stafit, Papa ishte rrëzuar, ndaj edhe kishte pësuar lëndime. Kohët e fundit ai është parë me shkop dhe ndonjëherë përdor një karrige me rrota. Françesku gjithashtu vuan nga divertikuliti, një gjendje e zakonshme që mund të shkaktojë inflamacion ose infeksion të zorrës së trashë. Në vitin 2021, ai iu nënshtrua një operacioni për të hequr një pjesë të zorrës së trashë.
Pavarësisht nga problemet e tij mjekësore, Françesku ka mbajtur një kalendar të ngjeshur ngjarjesh, duke përfshirë një vizitë 12-ditore të katër vendeve në Azinë Juglindore dhe Paqësorin Jugor. Ai udhëtim ishte një nga më të gjatët që bërë ndonjëherë një papë. Javën e kaluar, u njoftua se Papa do të takohej me mbretin Charles III në prill./ZËRI