KOSOVË-Ka dështuar edhe takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i zhvilluar këtë të hënë në Prishtinë, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit. Abdixhiku, ka deklaruar para mediave pas takimit, se nuk është arritur asnjë marrëveshje me kryeministrin Kurti dhe se çështja e presidentit konsiderohet e mbyllur nga ana e partisë së tij.
Kurti insiston që posti i presidentit të vijë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Nga ana tjetër LDK nuk e pranon këtë dhe palët kanë vendosur që të mos ketë më takime të tilla negociuese.
“Vetëvendosje e konsideron që presidenti të jetë i tyre. LDK e konsideron këtë çështje të mbyllur. Kemi bërë mjaft, s’mund të bëjmë më tepër. Duhet të bëhemi gati për skenarin e zgjedhjeve të reja dhe të jashtëzakonshme. Prej fillimit LDK ka qenë e qartë që presidenti s’duhet të jetë zgjatim i qeverisë. S’mund të ketë një qeveri që ka edhe presidentin e një partie, pra t’i ketë tri institucionet. Ai ka shtuar se ka bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje, por sipas tij nuk është arritur marrëveshje. U përpoqa, provova, por nuk arrita fatkeqësisht. Tani i kthehemi LDK-së dhe misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda partisë. Insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet LVV-së,"-u shpreh Abdixhiku.
Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 28 prill si afat të fundit për zgjedhjen e presidentit./ZËRI