Bota

PROFIL/ Nga akademike e ministri: Kush është Justina Shiroka Pula, Presidentja e re e Kosovës?

Përveç karrierës akademike, ajo ka mbajtur edhe poste të larta publike.

zh.ll
PROFIL/ Nga akademike e ministri: Kush është Justina Shiroka Pula,
Justina Shiroka-Pula

KOSOVË- Justina Shiroka-Pula është zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës për një mandat 5-vjeçar. Shiroka-Pula e lindur më 1953 në Prishtinë, është ekonomiste dhe akademike. 

Shiroka-Pula kreu në Prishtinë shkollën fillore në 1968 dhe të mesmen në 1972. Në vitin 1984 u diplomua në Zagreb, në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik.

Shiroka-Pula ka kryer edhe studimet e doktoratës në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku në vitin 1977 mbrojti disertacionin me temë “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”. Pas përfundimit të studimeve, ajo punoi për një periudhë të shkurtër në Bankën Popullore të Kosovës.

Karrierën akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës e nisi në vitin 1978, si asistente në lëndën “Kërkimet Operacionale”. Ndërsa në vitin 2004 u zgjodh Profesore Ordinare. 

Sipas biografisë së saj në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.

Përveç karrierës akademike, ajo ka mbajtur edhe poste të larta publike. Ajo ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nga 2008-2011. Ndërkohë që në 2014 ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës

Pas luftës, ajo u angazhua edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësisë.

Tashmë, me zgjedhjen në krye të shtetit, Justina Shiroka-Pula rikthehet në një prej posteve më të larta institucionale të Kosovës, pas një karriere disa-dekadëshe në akademi dhe në jetën publike.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Kosovës me 81 vota pro, pas një votimi deri në orët e vona pas mesnatën e 6 tetorit, në një seancë të jashtëzakoshme. Shiroka vjen në këtë detyrë pas muajsh vakance në postin e presidentit. Shiroka-Pula është gruaja e tretë që merr drejtimin e vendit dhe gruaja e parë katolike në një postë kaq të rëndësishëm. Para saj detyrën e presidentes e ka mbajtur Vjosa Osmani, e cila shërbeu në këtë post nga 2021-2026. Më herët, në krye të shtetit ka qenë Atifete Jahjaga, e zgjedhur presidente në vitin 2011 dhe në detyrë deri në vitin 2016./ZËRI

Poll

MOS HUMB