
GRENOBLE- Një ish-bos i mafias u qëllua për vdekje në makinën e tij në autostradën e qytetit Grenoble në Francë. Viktima u identifikua si 71-vjeçari Jean-Pierre Maldera, i cili si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në vend.
“Jean-Pierre Maldera, 71 vjeç, vdiq nga plagët e marra pas nje shkëmbimi zjarri dje në mëngjes”, lajmëruan autoritetet franceze.
Kush ishte Jean-Pierre Maldera?
Maldera njihej si një nga “kumbarët” e mafias franko-italiane që terrorizoi qytetin juglindor në vitet 1980, së bashku me vëllain e tij Robertin. Madje, vëllai i tij, Robert Maldera njihej edhe si “Il Pazzo” (I çmenduri), ai u zhduk në moshën 55-vjeçare në vitin 2015. Ndërsa, sipas autoriteteve franceze, ai mund të jetë vrarë.
Të dy vëllezërit janë dënuar më parë në vitin 2004, pasi akuzoheshin për zhvatje, pastrim parash dhe prostitucion, por më pas u liruan në vitin 2005. Asokohe, ata u lanë të lirë për shkak të një defekti teknik që pezulloi çështjen.
Pierre Maldera u qëllua nga një makinë tjetër që më pas u largua. Videot që qarkulluan në internet tregonin një makinë të bardhë të ndaluar në mes të autostradës, me xhamin e shoferit të saj të thyer.
“Le Dauphine Libere”, një gazetë lokale, raportoi se tre deri në katër persona të armatosur, kishin vjedhur një automjet dhe qëlluan drejt tij. Ndërsa, makina e vjedhur u gjet e djegur në një parkim disa kilometra larg qytetit. I ashtuquajturi “Klani Maldera” të cilit i përkisnin Jean-Pierre dhe Robert u shpërbë në vitin 1984. Në atë kohë, babai i tyre u zbulua se zotëronte rreth një milion franga franceze në bono thesari./ZËRI