
KOREA E VERIUT- Motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, paralajmëroi të shtunën se Seuli do të përballet me një “katastrofë të tmerrshme” nëse dronët arrijnë përsëri në Pyongyang. Ky paralajmërim vjen pasi Peniani akuzoi Korenë e Jugut për nisjen e dronëve me fletushka propagandistike drejt kryeqytetit të Veriut.
Të premten, Koreja e Veriut raportoi se Koreja e Jugut kishte dërguar dronë në hapësirën ajrore të Pyongyang-ut më 3 tetor dhe më pas në datat 9 dhe 10 tetor. Ministri i Mbrojtjes së Koresë së Jugut, Kim Yong-Hyun, fillimisht mohoi akuzat, por Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura më vonë deklaroi se nuk mund ta konfirmonin nëse pretendimet e Veriut ishin të vërteta.
Sipas mediave te huaja, Kim Yo Jong, motra e liderit Kim Jong Un, akuzoi Seulin për shmangie të përgjegjësisë, duke thënë se refuzimi për të konfirmuar incidentin do të thotë se dronët ishin nisur nga forcat ushtarake të Koresë së Jugut.
Në një deklaratë të lëshuar, Kim Yo Jong tha se nëse ndonjë dron i Koresë së Jugut zbulohet përsëri mbi kryeqytetin e Koresë së Veriut, kjo do të sjellë "katastrofa të tmerrshme". Peniani pretendon se dronët kishin shpërndarë fletushka me përmbajtje kundër regjimit, të mbushura me "thashetheme provokuese dhe mbeturina."
Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA) e përshkroi incidentin si një "shkelje të paprecedentë të ligjit ndërkombëtar dhe një sulm të rëndë ushtarak". Ndërkohë, aktivistët e Koresë së Jugut kanë dërguar prej kohësh fletushka me përmbajtje kundër regjimit të Kim Jong Un përmes balonave në kufirin midis dy vendeve, duke shkaktuar protesta të ashpra nga Peniani./ ZËRI