
MOSKË- Llogaria online "General SVR" raportoi për një atentat ndaj Bashar al-Assad. Udhëheqësi i rrëzuar sirian, al-Assad kërkoi ndihmë mjekësore të dielën mbrëma. Assad, i cili ka qenë "nën mbrojtjen" e Vladimir Putin në Moskë që nga 8 dhjetori, sipas të njëjtit burim është në gjendje të qëndrueshme.
Siç raportohet nga kanali kundër regjimit "General SVR", i cili drejtohet nga një ish-spiun i lartë rus, Assad ishte në banesën e tij në Moskë kur filloi të mos ndihej mirë: ai kollitej dhe ndjeu sikur po mbytej, ndaj mjekët nxituan për ta ndihmuar.
"Ka çdo arsye për të besuar se ka pasur një atentat ndaj tij,"-tha një burim për kanalin rus. Ndër të tjera shtohet se analizat e ish-presidentit treguan praninë e helmit në trupin e tij, por ende nuk ka konfirmim zyrtar nga Rusia. Të njëjtat burime thanë se Assad u trajtua në banesën e tij dhe është në gjendje stabile që nga e hëna.
Edhe pse lajmi ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare, ende nuk ka asnjë reagim nga autoritetet ruse.
Lajmi për atentatin e dështuar ndaj tij del në dritë në të njëjtën kohë kur po qarkullojnë zëra se gruaja e tij, Asma Assad kërkon divorcin për t'u zhvendosur në Londër./ZËRI