SELANIK- Festa e Pavarësisë së Shqipërisë u festua edhe jashtë territorit të vendit tonë. Ishin emigrantët shqiptarë ata që i dhanë jehonë kësaj feste në sheshet dhe rrugët kryesore të vendeve të Evropës. Në Selanik, shqiptarët festuan me valle, këngë dhe flamuj. Atmosfera e krijuar në rrugët e Selanikut ka tërhequr vëmendjen e mediave greke, të cilat i kanë kushtuar një artikull të veçantë kësaj feste.
“Festë nacionaliste e shqiptarëve në Selanik: Flamuj të UÇK-së dhe valle te Kulla e Bardhë”, titullohet artikulli i medias “NewsBomb”, e cila ka përshkruar festën e shqiptarëve pranë vendit të quajtur Kulla e Bardhë në qytetin bregdetar. Media shkruan se shqiptarët festuan me flamuj të UÇK-së të vendosur në makinat e tyre, ndërsa artikullin e kanë shoqëruar me video të marra nga TikTok-u.
@aldikozi bishat e selanikut ????????????????????????
♬ original sound - Aldi kozi
Artikulli i plotë i marrë nga NewsBomb:
“Me valle tradicionale, me muzikë nga sistemet e zërit të automjeteve dhe me flamuj të UÇK-së, shqiptarët e Selanikut festuan mbrëmjen e së premtes (28/11) pavarësinë e kombit të tyre.
Bëhet fjalë për ditën e njohur edhe si festa e flamurit, gjatë së cilës nderohet pavarësia e vendit fqinj nga Perandoria Osmane. Pavarësia e Shqipërisë u shpall në Vlorë më 28 nëntor 1912. Vlen të theksohet se shumë prej pjesëmarrësve në këtë festë nacionaliste kishin vendosur në makinat e tyre flamuj të UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), sipas thestival.gr. Pjesëmarrësit i parkuan automjetet e tyre përpara Kullës së Bardhë dhe vallëzonin me flamuj. Kujtojmë se komandantët e lartë të UÇK-së janë dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte. Akti i akuzës përfshin krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza për privim të paligjshëm nga liria, keqtrajtim, tortura dhe vrasje, zhdukje dhe ndjekje penale, të kryera në Kosovë midis viteve 1998 dhe 2000.”/ZËRI