Bota

Mali i Zi ka më pak se 5% banorë shqiptarë

Të dhënat e fundit tregojnë, po ashtu, se popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 9.45% boshnjakë, 4.97% shqiptarë, 2% rusë dhe 1.6% myslimanë.

Redaksia Zëri
Mali i Zi ka më pak se 5% banorë shqiptarë
Foto ilustruese

PODGORICË- Në Mal të Zi, 41.1 për qind e qytetarëve deklarohen si malazezë, ndërsa 32.9 për qind si serbë, tregojnë rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë, që u bë në dhjetor të vitit 2023. Ato u publikuan të martën nga Drejtoria e Statistikave në këtë vend, MONSTAT. Për krahasim, në regjistrimin e parafundit - më 2011 - 45 për qind ishin malazezë dhe rreth 29 për qind ishin serbë.

Të dhënat e fundit tregojnë, po ashtu, se popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 9.45% boshnjakë, 4.97% shqiptarë, 2% rusë dhe 1.6% myslimanë. Krahasuar me regjistrimin e parafundit, numri i shqiptarëve duket stabil: më 2011 ishin 4.91%, apo 30.439, ndërsa tani janë 30.978. Në regjistrimin e fundit, rreth 2.8% e popullsisë nuk u deklaruan. Në Mal të Zi, përndryshe, jetojnë 623.633 banorë, që do të thotë 0.6% më shumë se në vitin 2011.

Në pyetjen se çfarë gjuhe flasin, 36.2% thanë gjuhën malazeze, ndërsa 43.5% gjuhën serbe. Sipas fesë, qytetarët e Malit të Zi ndahen në ortodoksë - 71.1%, myslimanë - 20% dhe katolikë - 3.2%. Regjistrimi i rregullt i popullsisë në Mal të Zi duhej të bëhej në vitin 2021, por, fillimisht, u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pas saj, ai u shty disa herë, për shkak të mosbesimit të opozitës në atë proces.

Partia Demokratike e Socialistëve shprehu vazhdimisht dyshime se qëllimi i vërtetë i regjistrimit ishte rritja e numrit të serbëve në Mal të Zi dhe ulja e numrit të malazezëve. Për muaj të tërë, forcat dhe mediat proserbe e proruse bënë fushatë, duke u kërkuar qytetarëve që të deklaroheshin si serbë.

Fushatës iu bashkua edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të identifikoheshin si pjesëtarë të popullit serb dhe besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që flasin gjuhën serbe. Krerët e kësaj kishe e mohojnë kombin malazez, duke e klasifikuar atë si pjesë të korpusit serb. Në atë kohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, fliste vazhdimisht për rëndësinë e regjistrimit në përcaktimin e numrit të serbëve në Mal të Zi./REL

Poll

MOS HUMB