
UASHINGTON- Fitorja e historike e republikanit Donald Trump, vendosi në qendër të vëmendjes njerëzit më pranë tij, madje dhe ata që gjithmonë e kanë urryer vëmendjen. Dhe një prej këtyre njerëzve është “Zonja e Dytë” e SHBA-ve, Usha Vance. Vetëm 38 vjeçe, por ajo ka një reputacion si një nga avokatet më të mira në SHBA.
Ajo dhe Zonja e Parë, Melania Trump kanë të përbashkëta dhe pse janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Të dyja ato vijnë nga një familje emigrantësh, të cilët shkuan në Amerikë për të ndjekur “Ëndrrën Amerikane”. Usha është vajza e dy emigrantëve indianë të cilët dhe ata po ashtu si prindërit e Melania Trump shkuan në Amerikë, në mënyrë legale. Një fakt ky që duhet theksuar, duke ditur retorikën që presidenti i ardhshëm Donald Trump ka ndaj emigrantëve.

Usha u takua me James David Vance në Universitetin Yale dhe ata u martuan në vitin 2014 dhe kanë tre fëmijë së bashku.
“Usha padyshim që më sjell me këmbë në tokë, dhe nëse sillem pak kokëfortë, nëse ndihem shumë krenare për veten, thjesht duhet të kujtoj se ajo është shumë më e talentuar se unë”, tha gjatë një interviste JD Vance në 2020.
Usha padyshim vjen nga një familje e njohur si në Indi po ashtu dhe në Amerikë. Babai i saj është një pedagog në Universitetin e San Diegos, ku mëson inxhienerinë mekanike, ndërsa nëna e saj është kërkuese në Universitetin e Kalifornisë ku dhe mëson biologjinë molekulare. Ndryshe nga prindërit e saj, Usha studioi Filozofi në Yale. Familja e saj vjen nga komuniteti brahmin dhe origjinën e ka nga Andhra Pradesh në Indi. Ndërsa stërhalla e saj është zysha më e vjetër në botë që ende jep mësim në Indi në moshën 96-vjeçare. Madje në vendin e saj të origjinës, shumë indianë kryen rituale fetare që Republikanët të fitojnë, pas Usha është përfaqësuesja e tyre.
Ajo çfarë i tërhoqi vëmendjen të gjithëve është se po ashtu si bashkëshorti i saj, Usha kritikonte Donald Trump dhe ishte një votuese e Partisë Demokratike. Epo… duket se gjërat tashmë kanë ndryshuar se si ajo dhe bashkëshorti i saj janë njerëzit më të afërt me Donald Trump dhe dy nga personat që ai ka më shumë besim. Madje, Donald Trump, gjatë fjalimit të tij pas fitores, foli me fjalë të ëmbla dhe vlerësoi shumë Usha Vance, duke e quajtur atë një grua të ëmbël, vizionare dhe një person shumë të rëndësishëm për Shtëpinë e Bardhë.
Pavarësisht arritjeve të saj, nuk kanë munguar as komentet raciste për origjinën dhe fenë e Usha Vance nga personalitete të ekstremit të djathtë apo përdorues të tjerë në mediat sociale. Por tashmë, këto komente nuk kanë rëndësi sepse Usha është “Zonja e Dytë” e Shtëpisë së Bardhë dhe disa përdorues të mediave sociale shkojnë deri aty sa thojnë se ajo ka aftësinë për të bindur burrin e saj të ndryshojë disa ligje për të drejtat e grave, siç është edhe aborti. /ZËRI