Bota

Kurti refuzon të dëshmojë tek Prokuroria Speciale, i përgjigjet kryeprokurori: Askush s'është mbi ligjin!

Blerim Isufaj tha se paraqitja për të dëshmuar është detyrim para ligjit, e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

k.m.
Kurti refuzon të dëshmojë tek Prokuroria Speciale, i
Blerim Isufaj dhe Albin Kurti

PRISHTINË- Kreu i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj foli sot para gazetarëve edhe për çështjen e kryeministrit Albin Kurti. Në fjalën e tij para gazetarëve, Isufaj tha se paraqitja për të dëshmuar është detyrim para ligjit, e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

"Nuk paragjykoj asgjë. Qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe duhet që të trajtohen njësoj. Nëse veprojmë në mënyrë selektive, në kryejmë shkelje të ligjit. Nuk di të ketë pasur ndonjë rast për dhënie dëshmie në zyrën e kryeministrit. Prokuroria nuk është thurese për skenare, puna jonë është e pëcaktuar në ligj dhe kushtetutë. Nuk bëjmë dallime as për nga pozita, as për nga emri,"-është shprehur Isufaj.

Kurti ka refuzuar deri më tani të shkojë në prokurori për të dëshmuar pas fletë-thirrjes së kësaj të fundit duke ftuar grupin hetues që ta intervistojë atë në zyrën e tij të kryeministrit. 

Sipas ftesës, Kurti duhet të paraqitej në Prokurori Speciale më 16 dhjetor 2024. Në Prokurori Speciale më herët është paraqitur edhe zyrtarja e lartë e VV-së, Dejona Mihali. Por nuk dihet nëse do të dëshmojnë për të njëjtën çështje. Vetë Kurti ka zgjedhur që të mos bëjë komente lidhur me kërkesën e Prokurosisë, ndërsa në emër të tij ka folur vetëm zëdhënësi i tij.

Në letrën e thirrjes së prokurorisë thuhet se bëhet fjalë për rastin me numër PPSnr. 62/2023. Njohës të sistemit të drejtësisë i thanë Zërit të Amerikës se kjo lëndë ka të bëjë më një proces rreth “rezervave shtetërore”, rreth të cilit në gusht të vitit 2023 qenë arrestuar tre persona, dy nga të cilët punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Mielli, ilaçet, vaji, sheqeri, prodhimet higjienike, nafta etj. janë pjesë e rezervave shtetërore që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e fatkeqësive natyrore, luftërave apo dhe në rast kizash kur këta artikuj mungojnë në treg./ZËRI

Poll

MOS HUMB