KOSOVË- Kosova po përballet me një krizë politike pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri, një situatë që ka thelluar ndarjet mes partive politike dhe ka rritur tensionet në skenën politike.
Kriza presidenciale ka ardhur si pasojë e mosdakordësisë, si në radhët e partisë në pushtet, ashtu edhe të opozitës, ndërsa barra e zgjedhjeve bie mbi qytetarët, të cilët sërish duhet të dalin për votim.
Por, për këtë, 'fajtori' po kërkohet në skenën e politikës...
Kryeministri i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë deklarata të forta dhe ka përcjellë mesazhe kundër opozitës.
Kurti ka kritikuar ashpër opozitën gjatë fjalimit të tij të fundit në Kuvendin e Kosovës, pak minuta para shpërndarjes së këtij institucioni, natën ndërmjet të martës e të mërkurës.
Numri një i ekzekutivit ka deklaruar se opozita është 'në rënie të lirë', pas dështimit të seancës plenare ku pritej zgjedhja e presidentit të ri të vendit, duke thënë se vendit i duhet opozitë e re.
“Kosova mund të ketë presidente të re, por për të pasur presidente të re duhet të ketë opozitë të re. Opozita është e vjetër, kjo opozitë mundet me sjellë ndonjë fytyrë të re por zanatin e karakterin e ka të vjetër. Prandaj janë edhe në rënie të lirë. Janë duke rënë vazhdimisht, sa më shumë që bëhen zgjedhje aq më poshtë po shkojnë dhe asnjë mësim nuk po e nxjerrin”, tha Kurti në Kuvend.
Ai shtoi se opozita po thotë “ose populli le të na heqë nga Kuvendi ose duhet të na dojë me zor”.
“Veç këto dy mundësi janë. Ata janë thellësisht të pakënaqur me numri ne deputetëve që kanë. Praktikisht LDK-ja po thotë që i kemi 15 deputetë por nuk më duhen asgjë. PDK-ja po thotë që i kam 22 deputetë por nuk po më duhen asgjë, sepse ju e dini 22 + 15 bëjnë 37 e në 57 e ne 66. Këtë s’po munden ta kapërdijnë mendërisht dhe çka po u thonë qytetarëve, po shkojmë në zgjedhje”, tha Kurti.
Gjithashtu, pak orë para seancës së jashtëzakonshme që pritej të zhvillohej dje në Kuvend, kryeministri Kurti doli në një konferencë për shtyp, duke akuzuar opozitën për bllokimin e zhvillimit dhe krizës së re institucionale. Ai deklaroi se ka bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, por pa rezultat.
Pasi disa përpjekjesh, Kurti u kërkoi PDK-së dhe LDK-së të propozonin tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së, por opozita e ka refuzuar edhe këtë ide, duke e cilësuar si joserioze dhe të papranueshme.
Cili ishte afati?
Afati i 28 prillit erdhi pasi më 5 mars, LVV-ja nisi seancën për votimin e Konjufcës dhe Kollçakut, por e ndërpreu atë për shkak të mungesës së kuorumit.
Një ditë më pas, ish-presidentja Vjosa Osmani shpalli një dekret për zgjedhjet e reja. Por, vendimi u dërgua në Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës. Kushtetuesja tha se deputetët kishin afat 34 ditë – pra deri më 28 prill – që të zgjidhnin një pasues të Osmanit.
Osmani e përfundoi mandatin pesëvjeçar më 4 prill dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës, mori postin e ushtrueses së detyrës së presidentit.
Çfarë ndodh pas dështimit të Kuvendit për zgjedhur kreun e ri të shtetit?
Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja, që sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Që nga mbrëmja e 27 prillit, deputetët e shumicës parlamentare tentuan të zgjidhnin një president të ri, por partitë opozitare bojkotuan punimet e seancës, pasi bisedimet me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dështuan dhe nuk u arrit një marrëveshje për presidentin.
Pas disa tentativave në Kuvend dhe mungesës së konsensusit politik mes pozitës dhe opozitës, partitë nuk arritën të sigurojnë kuorumin dhe marrëveshjen e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit. Dështimi për zgjedhjen e presidentit e ka çuar vendin në një situatë të re politike.
Moszgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues hap rrugën për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare. Brenda 45 ditësh Kosova duhet të mbajë zgjedhje që llogariten të zhvillohen rreth fillimit të qershorit. Këto do të jenë zgjedhjet e pesta që nga viti i kaluar./ZËRI