
TEHEREAN- Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u zhvendos në një bunker nëntokësor në zonën Lavizan, në verilindje të Teheranit, disa orë pasi Izraeli nisi sulmet e tij ndaj kryeqytetit iranian të premten. Lajmin e dha "Iran International", duke cituar dy burime të informuara mirë brenda vendit. Të gjithë anëtarët e familjes së Khameneit, përfshirë djalin e tij Mojtaba, janë me të.
Sipas medias, kjo është e njëjta strehë ku udhëheqësi fetar dhe familja e tij u vendosën gjatë operacioneve të Iranit kundër Izraelit, "Premtimi i Vërtetë 1" dhe "Premtimi i Vërtetë 2" në vitin 2024. Në atë kohë, Mojtaba ishte pranë tij, por dy djemtë e tij të tjerë, Massoud dhe Mostafa, nuk ishin me të. Një burim diplomatik në Lindjen e Mesme i tha "Iran International" se sulmi ajror në Mashhad ishte një paralajmërim për udhëheqësin suprem të Iranit se ai nuk është i sigurt askund në vend.
I njëjti burim diplomatik shtoi se Izraeli mund ta kishte vrarë Khamenein që natën e parë të operacionit, por qeveria izraelite zgjodhi ta linte gjallë, duke i dhënë një shans të fundit për t'u tërhequr dhe për të njoftuar çmontimin e plotë të programit bërthamor të Iranit. Por po ashtu, mediat e huaja kanë raportuar se edhe presidenti amerikan Donald Trump kishte vendosur "VETO" që Khamenei të mos prekej nga ushtria izraelite. Nga ana e tij, Trump i ka dhënë Khameneit një afat dy-mujor për të rënë dakord për çmontimin e programit të pasurimit të uraniumit, por udhëheqësi suprem injoroi paralajmërimet si amerikane ashtu edhe izraelite.
Në këto kushte, “Iran International” ka marrë informacion se Ali Asghar Hejazi, zëvendësshefi i stafit të Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, po negocion me zyrtarët rusë për të siguruar një dalje të mundshme për veten dhe familjen e tij nga Irani nëse situata përkeqësohet. Sipas raporteve të medias, një zyrtar i lartë rus e siguroi Hejazin se Moska do të lehtësojë daljen e tij përmes një korridori të sigurt në rast të një përshkallëzimi./ZËRI