SHBA-Tensionet midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe miliarderit të teknologjisë, Elon Musk, kanë arritur në pikën kulmore, dhe miqësia midis udhëheqësit më të fuqishëm në botë dhe njeriut më të pasur ka mbaruar.
Gjithçka nisi një ditë më parë më 5 qershor ku ndërsa takohej me udhëheqësin gjerman në Zyrën Ovale, Donald Trump foli hapur për zhgënjimin e tij me Musk. Në përgjigje, Musk nisi një seri sulmesh të jashtëzakonshme në X, duke sugjeruar pa prova se Trump shfaqet në dosje të pazbuluara që lidhen me shkelësin e ndjerë të ligjit seksual Jeffrey Epstein.
Trump u kundërpërgjigj disa herë, duke thënë se Musk "u çmend" dhe iu kërkua të largohej nga administrata. Ai gjithashtu kërcënoi të ndërpresë kontratat qeveritare me kompanitë e Musk. Mes 'betejës', çmimi i aksioneve të Teslës ra ndjeshëm me 14%, duke e ulur gjigantin e automjeteve elektrike të Musk nën pragun e 1 trilion dollarëve.
Musk nuk është ndalur dhe me një sondazh në platformën X shtron pyetjen, nëse ka ardhur koha për të krijuar një parti të re politike në Amerikë që përfaqëson realisht 80% të popullsisë në mes.
"A ka ardhur koha për të krijuar një parti të re politike në Amerikë që përfaqëson realisht 80% të popullsisë në mes?'-shkruan Musk, duke iu drejtuar amerikanëve.

Vetëm pak minuta më pas, rreth 260 mijë vetë kishin votuar dhe 84% e tyre ishin përgjigjur “po”.
DEBATI Trump-Musk:
"Nuk e di nëse do të kemi më një marrëdhënie të mirë”, deklaroi Trump gjatë takimit me kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Musk reagoi në 'X' duke e akuzuar Trump-in për mosmirënjohje: “Pa mua, do t’i kishte humbur zgjedhjet”.
Trump: Elon po 'shteronte'. I kërkova të largohej, i hoqa mandatin për makinat elektrike që detyronte të gjithë të blinin makina që askush nuk i donte (dhe ai e dinte prej muajsh që do ta bëja!), dhe ai thjesht "çmendet”. Mënyra më e thjeshtë për të kursyer miliarda e miliarda dollarë nga buxheti ynë është të ndërpriten subvencionet dhe kontratat qeveritare për Elon-in. Më ka habitur gjithmonë që Biden nuk e bëri!”
Musk: Trump është në dosjet e Epstein. Ky është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike. E vërteta do të dalë në dritë
Trump: Elon i njihte të gjitha hollësitë e brendshme të ligjit, më mirë se kushdo këtu të pranishëm. I dinte të gjitha, nuk pati asnjë problem, por papritur filloi të ankohej kur kuptoi se do të hiqej detyrimi për makinat elektrike, sepse aty bëhej fjalë për miliarda e miliarda dollarë
Musk: Gënjeshtër. Ky projektligj nuk m’u është treguar asnjëherë dhe u miratua në mes të natës, aq shpejt sa që pothuajse askush në Kongres nuk pati kohë ta lexonte.