Bota

Puthja e dorës pa miratim konsiderohet sulm seksual në Spanjë

Sipas AFP, vendimi është marrë pasi në vitin 2023 një burrë puthi dorën e një gruaje pa pëlqimin e saj në një periferi të Madridit dhe i kërkoi që ta shoqëronte duke i ofruar para.

I.F
Puthja e dorës pa miratim konsiderohet sulm seksual në Spanjë
foto ilustruese

MADRID- Gjykata Supreme e Spanjës ka shpallur një vendim se puthja e dorës së një personi pa pëlqimin e tij përbën sulm seksual. Sipas AFP, vendimi është marrë pasi në vitin 2023 një burrë puthi dorën e një gruaje pa pëlqimin e saj në një periferi të Madridit dhe i kërkoi që ta shoqëronte duke i ofruar para. Gjykata vendosi dënimin ndaj burrit, i cili akuzohej për sulm seksual. Ai u dënua që të paguante një gjobë prej më shumë se 1,500 eurosh.

Avokatët e të pandehurit kishin kërkuar që veprimi të riklasifikohej si ngacmim në rrugë, por gjykata konstatoi se çdo kontakt fizik me natyrë seksuale shkon përtej kësaj kategorie. Sipas vendimit të marrë më datë 5 mars, burri kishte “vepruar me qëllim për të cenuar integritetin seksual të gruas”.

“Kemi të bëjmë me një akt sulmi seksual, për aq kohë sa veprimi përshkruan një kontakt me natyrë dhe ton seksual që viktima nuk kishte asnjë detyrim ta duronte, me përmbajtje qartësisht seksuale dhe një shkelje ndaj viktimës duke e kthyer atë në një objekt”, shtoi gjykata.

Spanja, një nga vendet udhëheqëse në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, në vitin 2022 forcoi ligjet për përdhunimin duke kërkuar pëlqim të qartë për aktet seksuale, një hap i kërkuar prej kohësh nga të mbijetuarit dhe grupet për të drejtat e grave.

Në vitin 2025, një gjykatë spanjolle dënoi ish-kreun e Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, për sulm seksual lidhur me një puthje në buzë ndaj sulmueses Jenni Hermoso Kupës së Botës për Femra në vitin 2023, për të cilën mori një gjobë prej 10,800 eurosh./ZËRI

Poll

MOS HUMB