Bota

Haradinaj propozon Thaçin për postin e presidentit: Është në nderin tonë

Deklarata e Haradinajt erdhi gjatë një aktiviteti të mbajtur në Prishtinë, në nderim të katër ish-krerëve të UÇK-së që mbahen prej disa vitesh në Burgun e Hagës

F.I
Haradinaj propozon Thaçin për postin e presidentit: Është
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

KOSOVË-Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka propozuar emrin e Hashim Thaçit në postin e Presidentit të vendit. Deklarata e Haradinajt erdhi gjatë një aktiviteti të mbajtur në Prishtinë, në nderim të katër ish-krerëve të UÇK-së që mbahen prej disa vitesh në Burgun e Hagës, vendimi përfundimtar për të cilët pritet të jepet më 16 shtator.

“Është në nderin e kësaj legjislature, por edhe të çdo legjislature, që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati me një ndërhyrje ligjore dhe, me kthimin e tij, është në nderin tonë, si shqiptarë, si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie partiake apo politike, po për shkak të një kundërpërgjigjeje ndaj armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin”, u shpreh ai.

Hashim Thaçi e la detyrën e Presidentit të Kosovës më 5 nëntor 2020, rreth 5 muaj përpara mbarimit të mandatit pas publikimit të akuzave nga Gjykata e Hagës. Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, pritet të dalin para Dhomave të Specializuara më 16 shtator, kur do të shpallet aktgjykimi përfundimtar në procesin gjyqësor që ka zgjatur mbi tre vjet.

Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ndërsa Prokuroria i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar. Sipas aktakuzës, të akuzuarit mbajnë përgjegjësi edhe për veprimet e personave nën komandën e tyre. Gjatë procesit gjyqësor janë shqyrtuar qindra prova dhe janë dëgjuar dëshmitarë nga të dyja palët.

Emrat po propozohen në një kohë kur Kosova është në ngërç politik.  Lëvizja Vetëvendosje dhe aleatët e saj nga komunitetet kanë numrat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Për zgjedhjen e presidentit, megjithatë, kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në dy raundet e para. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues 60-ditor, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB