WASHINGTON- Një gjykatë federale bllokoi politikën kufizuese të administratës së presidentit amerikan Donald Trump mbi aksesin e shtypit në Pentagon, gjë që do t'i kishte vënë gazetarët në rrezik të etiketoheshin si "rrezik sigurie" nëse ata kërkonin informacione që nuk miratoheshin për publikim.
Padia, e ngritur nga The New York Times në gjykatën federale në Uashington, tha se ndryshimet e politikave nga Departamenti i Mbrojtjes vitin e kaluar i dhanë atij lirinë për të ndaluar mbulimin nga gazetarët dhe mediat që nuk i pëlqenin, duke shkelur dispozitat kushtetuese mbi lirinë e fjalës dhe procesin e rregullt ligjor.
Administrata e Trump ka argumentuar se politika është e arsyeshme dhe e nevojshme për të mbrojtur ushtrinë.
Ndryshimet, të miratuara nga Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth në tetor 2025, përcaktojnë që gazetarët mund të konsiderohen një "rrezik" për sigurinë dhe t'u revokohen kredencialet nëse inkurajojnë personelin ushtarak të paautorizuar të zbulojë informacione të klasifikuara - dhe në disa raste, të paklasifikuara. Nga 56 mediat në Shoqatën e Korrespondentëve të Pentagonit, vetëm një pranoi të nënshkruante politikën e re, sipas padisë së Times. Gazetarët që nuk nënshkruan dorëzuan kredencialet e tyre.
Pentagoni ka formuar një korpus të ri korrespondentësh të përbërë nga media dhe figura miqësore me Trump pas "largimit" të gazetarëve, një fakt që Times e përshkroi si provë se politika synon të shtypë mbulimin jo të kendshem për qeverinë.
Një tjetër padi është në pritje, nga Associated Press (AP) për heqjen e saj nga korpusi i korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, sepse agjencia e lajmeve vendosi të vazhdojë të përdorë emrin e vendosur "Gjiri i Meksikës", në vend të "Gjiri i Amerikës", siç e riemërtoi Trump./ZËRI