
TIRANË- 12 persona janë vendosur në pranga të Policisë së Shtetit, si pjesë e një grupi që trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës. Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “ICARO.AL”, në total u vendosën në pranga 12 persona, nga të cilët 5 prej tyre u gjetën në Shqipëri, ndërsa 8 të tjerë janë ende nën hetim. Aksioni për kapjen e personave, për të cilët kishte një urdhër-arrest nga Italia është "shtrirë" në Elbasan, Shkodër dhe Tiranë. Pas finalizimit të aksionit, materialet hetimore të Prokurorisë italiane, tashmë i kaluan edhe Strukturës së Posaçe (SPAK), për veprime të mëtejshme në vendin tonë.
Në Shqipëri janë arrestuar 5 shtetas shqiptarë, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Italisë:
Igli Dervishi, 30 vjeç, banues në Elbasan;
Shkëlqim Pashja, 44 vjeç, banues në Elbasan;
Ervin Dema, 40 vjeç, banues në Elbasan;
Edmond Zhuja, 41 vjeç, banues në Shkodër;
Genti Berisha, 28 vjeç, banues në Tiranë.
Në Shqipëri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe një 28-vjeçar i identifikuar me inicialet M. M. Ndërsa në Spanjë u kap një tjetër anëtar i grupit, Gerardo Pashja alias Astrit Pashja, 48 vjeç, me precedent të mëparshëm penalë.
NJOFTIMI I SPAK:
Nën koordinimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Brescias, në orët e para të mëngjesit të 21.01.2025 u finalizua operacioni ICARO, në Shqipëri dhe Itali, me ekzekutimin e 12 masave të sigurisë “arrest me burg” dhe 8 masave “të marrjes në pyetje të personave nën hetim”. Personat ndaj të cilëve u ekzekutuan masat e sigurisë ishin pjesë e një organizate kriminale të trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit kokainë nga Amerika e Jugut. Oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shqiptare dhe Policisë Italiane, nën koordinimin e Drejtorisë Antimafia të Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut, kryhen kontrolle të shumta në Shqipëri si edhe në provincat e Brescias, Milanos, Torinos, Veronës, Bolzanos, Cremonës, Novarës, Pavias, Trentos dhe Trevisos ku u bë e mundur dhe ekzekutimi i masave të sigurisë. Më datën 21.01.2025, në Shqipëri, janë arrestuar me qëllim ekstradimin shtetasit shqiptarë: Sh.P., I.D., E.D., E.Zh., G.B. Ndërsa arrestimi i M.M., nuk është bërë i mundur, pasi është në kërkim. Hetimet nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u rregjistrua shpërndarja e lëndës narkotike e llojit kokainë, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali dhe ato u kryen nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescias dhe SPAK-ut. Në hetim ishin rreth 40 shtetas italianë dhe shqiptarë. Pas identifikimit të furnizuesve të kokainës, mbi bazën e hetimeve, është rikonstruktuar organigrama e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me importin e sasive të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut. Në krye të kësaj organizate kriminale janë dy vëllezër shqiptarë nga Elbasani, G.P., dhe Sh.P. Ata i jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobuzëve të linjës Brescia – Elbasan. Në nëntor të vitit 2021, është kryer arrestimi i një prej personave nën hetim, i cili do t’i dërgonte një sasi prej 350 kg kokainë organizatës, e cila e kryente aktivitetin në zonën e Brescia-s. Anëtarët e organizatës kriminale kanë përdorur telefona të “kriptuar” nga analiza e të cilëve ka rezultuar edhe përfshirja e tyre në brendësi të kësaj organizate kriminale shqiptare e dedikuar në trafikun ndërkombëtar të qindra kilogramëve të lëndës narkotike, kryesisht kokainë. Hetimet kanë konfirmuar faktin se drejtuesit e kësaj organizate, për të realizuar marrëveshjet me furnizuesit kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, ku ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Shtetit pjesë e megaoperacionit policor, ndërkombëtar të koduar “ICARO.AL”. Megaperacioni i iniciuar nga autoritetet italiane, për shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte Kokainë me automjete nga Amerika e Jugut për ta shitur në Itali dhe në shtete të Europës Qendrore. Deri tani, në kuadër të këtij megaoperacioni janë vënë në pranga 12 shtetas dhe po hetohen 8 të tjerë. Lokalizohen në Shqipëri dhe vihen në pranga, me qëllim ekstradimin, 5 shtetas shqiptarë, të akuzuar si pjesëtarë të grupit. Më tej, informacioni i siguruar nga Policia shqiptare, mundësoi kapjen në Spanjë, të një tjetër pjesëtari të grupit, gjithashtu shtetas me precedent penal. Identifikohet dhe shpallet në kërkim për të njëjtën akuzë, 1 shtetas shqiptar, aktualisht në kërkim për vepra të tjera penale. Në kuadër të megaoperacionit “ICARO.AL”, Strukturat për Hetimin e Krimit të Organizuar në DPPSH, ato të Drejtorive Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Tiranë, si dhe Guardia di Finanza, në bashkëpunim me SPAK-un, vunë në pranga shtetasit: I. D., 30 vjeç, banues në Elbasan; Sh. P., 44 vjeç, banues në Elbasan; E. D., 40 vjeç, banues në Elbasan; E. Zh., 41 vjeç, banues në Shkodër; G. B., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Më tej, si rezultat i sigurimit të informacionit nga strukturat e Policisë shqiptare, dhe shkëmbimit të tij me homologët spanjollë, u vu në pranga në Spanjë shtetasi shqiptar me precedent penal, G. P. alias A. P., 48 vjeç. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, në Shqipëri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi M. M., 28 vjeç, i cili kërkohet dhe për vepra të tjera penale. Në koordinim me partnerët, po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e këtij shtetasi. Këta shtetas akuzohen nga Gjykata e Breshias, Itali, se të organizuar si grup, kanë trafikuar lëndë narkotike Kokainë nga Amerika e Jugut, nëpërmjet automjeteve të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike dhe e kanë shitur atë në qytete të Italisë dhe në shtete të Europës Qendrore. Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për të finalizuar ekstradimet e shtetasve të arrestuar. Materialet procedurale i kaluan SPAK, për veprime të mëtejshme.
Grupi kriminal përdorte automjete të modifikuara për të fshehur lëndën narkotike dhe e trafikonte atë drejt qyteteve të Italisë dhe shteteve të Europës Qendrore. Aktiviteti i tyre përfshinte një rrjet të gjerë shpërndarjeje të kokainës në Europë. Aksioni për kapjen e tyre nisi një javë më parë, në 4:00 të mëngjesit. Mbi 100 efektivë të Guardia di Finanza dhe agjentë të Policisë së Shtetit ushtruan kontrolle në disa pika të Bolonjës. Hetimet zbuluan anëtarët e një organizate kriminale italiano/shqiptare me qendër në provincën e Reggio Emilia, e cila merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria, Kosova, Ekuadori, Kolumbia dhe Holanda. Në total, grupi kishte shitur lëndë narkotike të llojeve të ndryshme me vlerë 8 milionë euro.
Lidhja e Shqipërisë me Kalabrinë në trafikun e drogës
Hetimi konfirmon lidhjen e konsoliduar mes organizatave kriminale shqiptare dhe “Ndrangheta-s” kalabreze. Bashkëpunimi mes këtyre organizatave mundëson shfrytëzimin e rrugëve ndërkombëtare të trafikut të drogës, me një sistem shumë efikas dhe të mirëstrukturuar që menaxhon çdo fazë: nga importimi në shpërndarje. Shqiptarët, falë afërsisë me Italinë dhe pranisë së porteve strategjike, merret me sigurimin e trafikut të drogës nga vendet prodhuese. Pasi futet në Itali, droga shpërndahet kudo duke garantuar miliona fitime për organizatat./ZËRI