SHBA- Të paktën katër persona janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur pasi një person i armatosur, hyri me një automjet brenda një kishe në Michigan, hapi zjarr dhe i vuri flakën ndërtesës, thotë policia.
Zyrtarët thanë se sulmi në Kishën që gjendet në një qytet 100 km në veriperëndim të Detroitit, ndodhi gjatë një shërbese të së dielës ku morën pjesë qindra njerëz.
I dyshuari, i identifikuar si Thomas Jacob Sanford, 40 vjeç, nga Burton, Michigan, u qëllua për vdekje më vonë nga policia në parkingun e kishës.
Autoritetet po e hetojnë incidentin si një "akt dhune të qëllimshëm”, por thonë se motivi mbetet i paqartë.
Dy viktima vdiqën nga plagët me armë zjarri, tha shefi i policisë së Grand Blanc Township, William Renye, në një konferencë për shtyp të dielën.
Ai më vonë tha se dy persona të tjerë ishin gjetur të vdekur dhe "disa" të tjerë mbetën të zhdukur, megjithëse nuk mund të thoshte se sa. Kisha ishte ende duke u "pastruar" të dielën në mbrëmje pasi pësoi dëme të mëdha nga zjarri, tha ai.
Hetuesit po kryejnë një kontroll në pronën e të dyshuarit dhe po shqyrtojnë të dhënat e telefonit të tij celular, ndërsa punojnë për të përcaktuar një motiv.
Të dhënat tregojnë se Sanford ishte një veteran i Korpusit të Marinës, raportoi partneri amerikan i BBC-së, CBS.
Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer, e dënoi incidentin, duke thënë: “Dhuna kudo, veçanërisht në një vend adhurimi, është e papranueshme”, duke shtuar se po e monitoronte situatën.