
TIRANË- Chris LaCivita, një strateg republikan që ndihmoi në drejtimin e fushatës së Presidentit Donald Trump, tani po këshillon një parti opozitare konservatore në Shqipëri të kryesuar nga një politikan, i cili ka akuza për korrupsion nga Departamenti i Shtetit dhe prokurorët në vendin e tij. Bëhet fjalë për Sali Berishën.
LaCivita, i cili u bë këshilltar i një grupi jofitimprurës pro-Trump pas zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në nëntor, është në mesin e një grushti këshilltarësh të Trump që kanë ndjekur punë këshilluese politike në mbarë botën për politikanët që e konsiderojnë veten si populistë. LaCivita po punon për Partinë Demokratike të Shqipërisë përpara zgjedhjeve parlamentare të vendit në maj, kur do të përpiqet të kapërcejë Partinë Socialiste të krahut të majtë në pushtet.
Në mesazhet me tekst për The New York Times, LaCivita e karakterizoi punën e tij si një zgjatje të ndihmës së tij për Trump.
"Unë po eksportoj MAGA - Tani, Bëjeni Shqipërinë të Madhe përsëri!,"-shkruan LaCivita.
Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë është Sali Berisha, një ish-president dhe kryeministër i cili po përballet me akuza për korrupsion në Shqipëri në lidhje me një marrëveshje pronash. Administrata Biden vendosi sanksione ndaj zotit Berisha në vitin 2021 për "korrupsion të konsiderueshëm", sipas një deklarate të ish-sekretarit të shtetit Antony J. Blinken, i cili e akuzoi atë për shpërdorim të fondeve publike dhe përdorimin e pushtetit të tij për të pasuruar aleatët dhe familjen e tij.
LaCivita argumentoi se akuzat ndaj Berishës ishin të motivuara politikisht dhe sugjeroi që përvoja e politikanit shqiptar të përafrohet me atë të Trump.
"Është një përshtatje e natyrshme - të mundësh një socialist që është peng dhe kukull i familjes Soros,"-tha LaCivita, duke evokuar pretendimet e pabazuara të Berishës se megadonori demokrat George Soros qëndronte pas sanksioneve që iu vendosën nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Berisha ka treguar se synon t'i kërkojë administratës Trump të rishqyrtojë sanksionet e Departamentit të Shtetit.
Berisha ka përdorur punësimin e LaCivitës nga partia e tij për t'u lidhur me Trump, ndonëse presidenti amerikan nuk ka sinjalizuar mbështetje për një parti të preferuar në zgjedhjet parlamentare që do mbahen në Shqipëri. Berisha ka kërkuar gjithashtu të dallohet nga partia qeverisëse duke u zotuar se nëse opozita fiton, ajo nuk do të rinovojë marrëveshjen e Shqipërisë për pranimin e emigrantëve nga Italia.
Strategët për fitimin e fushatave presidenciale i kanë tregtuar prej kohësh shërbimet e tyre jashtë vendit.
Shpesh ka kërkesa të mëdha për konsulentë me lidhje me presidentin e ri të SHBA-së nga politikanë të huaj që kërkojnë të portretizojnë veten si kandidati i favorizuar i Uashingtonit, gjë që mund të jetë një avantazh në shumë pjesë të botës. Por LaCivita, i cili doli këtë muaj me zotin Berisha në një konferencë shtypi në Shqipëri, tha se nuk do t'i drejtohej administratës Trump në emër të kryedemokratit apo partisë së tij.
"Unë nuk loboj. Unë bëj fushata dhe kjo është ajo që po bëj – shumë e drejtpërdrejtë,”- tha LaCivita.
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot gjatë një konference për media, se kompania amerikane e kontraktuar për të drejtuar fushatën e PD-së për zgjedhjet e 11 majit, nuk ka asnjë tagër lobimi.
“Nuk ka kompania e kontraktuar për zgjedhje, nuk ka asnjë funksion dhe lidhje si kompani lobimi. Në vendin e vetë këto kompani, ose këto veprimtari, janë me kuadër të ndryshëm ligjor. Nëse shkoni të konferenca e parë, ua kam sqaruar se kjo kompani nuk ka asnjë tagër për qëllime lobimi,”- tha Berisha.
Po ashtu, LaCivita nuk zgjodhi të thoshte nëse kishte apo jo konsulentë të tjerë të përfshirë apo që kishin zgjedhur të punonin në Shqipëri dhe disa prej tyre nuk iu përgjigjën kërkesave për koment./ZËRI