
SHKUP- Arratisja e Artan Grubit nga Maqedonia e Veriut është ende e pazbardhur! Përditësimet më të fundit për ngjarjen i ka bërë me dije ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski. Sipas tij, aktualisht po mblidhen prova për të zbuluar sesa përgatitje janë bërë për të finalizuar skenarin e arratisë. Në prononcimin e tij, Toshkovski tha se për arratisjen e Grubit kishte nisur një operacion sekret.
“Për këtë është hapur hetim dhe po vepron Prokuroria Themelore Publike dhe në kuadër të asaj që kemi si prova të pakundërshtueshme ndaj personit kemi bërë kallëzim penal dhe është pezulluar nga puna. Aktualisht po hetohet nëse ka pasur komunikim dhe çfarë komunikimi ka qenë ai,”- theksoi Toshkovski.
Në fund, shton edhe se fakti që Grubi nuk ka tentuar që të negociojë për t'u rikthyer në Maqedoninë e Veriut, është tregues i fajësisë së tij.
Por ka dyshime se ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ndodhet në Shqipëri. Alsat shkruan se biznesmeni dhe Konsulli i Nderit i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Arsim Papraniku ka deklaruar në polici se e ka dërguar Grubin me makinë me targa diplomatike në Tiranë. Madje shton se kanë pirë kafe dhe e kanë lënë në një hotel pranë stadiumit ‘Air Albania’.
Gjykata Themelore në Shkup ka vendosur që masa e paraburgimit prej 30 ditësh për ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi të mbetet ende në fuqi. Grubi, së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, akuzohen për “përvetësim të pasurisë së paligjshme” nga Lotaria Shtetërore, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 8.2 milionë euro. Më 18 dhjetor, ndaj tyre u shpall edhe një fletarrestim ndërkombëtar. Artan Grubi, u shpall non grata nga SHBA, më 9 dhjetor 2024. Në njoftimin e DASH thuhej se Grubi është përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret./ZËRI