
VATIKAN-Trupi i pajetë i Papa Françeskut ndodhet sot në kapelën ku Papa ka kremtuar meshë gjatë gjithë pontifikatit të tij, dhe që mbrëmë ka nisur një qarkullim i vazhdueshëm kardinalësh dhe bashkëpunëtorësh të kurisë romake për t’i dhënë Atit të Shenjtë lamtumirën e fundit.
Nesër pritet që trupi të transferohet në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku do të ekspozohet për nderimin e besimtarëve deri të premten në mbrëmje. Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret sot nga vetë kardinalët, të cilët ndodhen tashmë në Romë në pritje të mbërritjes së purpuratëve të tjerë nga e gjithë bota.
Një ditë nga vdekja e Papa Françeksut është zbuluar edhe testamenti, ka lënë edhe amanetin e tij. Papa është shprehur se dëshironte të varrosej në një varr “të thjeshtë” në Bazilikën e Romës.
“Varri duhet të jetë në tokë, i thjeshtë, pa dekorim të veçantë dhe me mbishkrimin e vetëm: Francisco”, ka thënë Papa në testamentin e tij, i cili u publikua nga Vatikani.
Ai do të jetë Papa i parë në më shumë se një shekull që do të varroset jashtë Vatikanit. Testamenti i tij Papa e shkroi më 29 qershor 2022.
Papa Françesku u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 21 prill një ditë pas Pashkëve. Papa Françesku vdiq nga një goditje në tru dhe si pasojë e dështimit të pakthyeshëm të zemrës. Për nëntë ditë me radhë do të kremtohen meshë në përkujtim të shpirtit të Françeskut – të ashtuquajturat novendiale./ZËRI