
KOSOVË-Një aksion është zhvilluar së fundmi në veri të Kosovës, ku raportohet për 16 serbë të arrestuar. Në lidhje me operacionin Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, se aksioni është realizuar nga organet e sigurisë më datat 5 dhe 6 prill, ku personat e arrestuar u ndaluan në katër automjete me targa të Serbisë.
Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se katër prej të ndaluarve janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë. Sipas tij, katër persona janë ndaluar në Gjalkovë dhe 12 në Prizren. Ministri bën me dije se dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve, pasi janë gjetur dëshmi të lidhjes së tre me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.
Udhëheqësi i Ministrisë së Brendshme tha se bazuar në hetimet paraprake të organeve të rendit të Kosovës, një nga të ndaluarit është “konfirmuar se është zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor”, i cili, siç pretendoi Sveçla, “ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviç, nofka ‘Gandi’”.
Mësohet se Policia ka gjetur fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative.
Në shtator të vitit 2023 Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra efektivi Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës u përballën me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre u qëllua me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku./ZËRI