Aktualitet

Bojkoti i avokatëve shtyn seancën për Veliajn, kryebashkiaku shkresë GJKKO: Dua vetëm Plarent Ndrecën

Mësohet se shkak është bërë mungesa e avokatëve të caktuar nga skema e ndihmës juridike falas, të cilët kanë refuzuar të marrin përsipër mbrojtjen e tij, në kuadër të bojkotit të Dhomës së Avokatisë.

zh.ll
Bojkoti i avokatëve shtyn seancën për Veliajn, kryebashkiaku
erion veliaj

TIRANË- Seanca gjyqësore për kryebashkiakun Erion Veliaj është shtyre. Mësohet se shkak është bërë mungesa e avokatëve të caktuar nga skema e ndihmës juridike falas, të cilët kanë refuzuar të marrin përsipër mbrojtjen e tij, në kuadër të bojkotit të Dhomës së Avokatisë.

Avokatët kanë refuzuar përfaqësimin e të akuzuarve, duke iu bashkuar bojkotit. Nga ana tjetër, Veliaj kishte dërguar një shkresë, ku kërkonte që të mbrohej veç nga avokati i tij, Plarent Ndreca dhe asnjë tjetër. 

Ndërkohë, mësohet se gjykata nuk vendosi gjoba për asnjë nga avokatët, ndërsa seanca e radhës është caktuar më 3 nëntor, në orën 10:30.

Që prej 9 shtatorit, Dhoma e Avokatisë ka bojkotuar seancat gjyqësore pas hyrjes në fusi të rregullores së re të GJKKO, e cila ndalon mbajtjen dhe përdorimit e telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit për avokatët.

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

MOS HUMB