TIRANË-Gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Banka e Shqipërisë ka dhënë miratimin në parim për projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën e re fiskale. Lidhur me masat e propozuara fiskale dhe në veçanti ndryshimet e rëndësishme të propozuara në nivelet e TVSH-së, zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj deklaroi se se ndikimi i tyre do të varet nga masa e transmetimit te çmimet finale. Sipas Ahmetaj ulja e pragut për TVSH-në në bizneset e vogla mund të shtrenjtojë çmimet.
Natasha Ahmetaj: Ulja e TVSH-së për disa ushqime bazë dhe reduktimi i normës së taksimit të karburanteve pritet të ushtrojnë ndikim në kahun rënës mbi çmimet, ndërkohë që rritja e përgjithshme e TVSH-së dhe reduktimi i pragut të xhiros për përfshirjen e bizneseve në skemën e TVSH-së mund të japin ndikim të kahut të kundërt. Në tërësi, ne vlerësojmë se ndikimi neto i tyre do të varet nga pesha dhe shkalla e transmetimit te çmimet finale të konsumit. Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se ndikimi i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të taksave në inflacion ka natyrë të përkohshme. Megjithatë, efekte më të qëndrueshme mund të shfaqen nëse këto ndryshime ndikojnë pritjet për inflacionin, kërkesat për paga apo sjelljen e bizneseve në përcaktimin e çmimeve.
Banka e Shqipërisë vlerëson se efekti fillestar i ndryshimeve tatimore në inflacion do të jetë i përkohshëm.