LEZHË- Një situatë problematike nga zjarret është raportuar në fshatin Rras, në Njësinë Administrative Ugrenj të Lezhës, ku janë evidentuar disa vatra aktive. Sipas të dhënave paraprake, në zonë janë të paktën pesë vatra zjarri, ndërsa flakët kanë vijuar të përhapen edhe gjatë orëve të pasdites, pasi situata ishte vënë më herët nën kontroll.
Në terren ndodhen shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve. Për shuarjen e zjarrit është ndërhyrë edhe nga ajri.
Shqetësimi kryesor lidhet me përhapjen e flakëve në drejtim të zonave të banuara. Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa ekipet në terren vijojnë operacionin për vënien përfundimtare të situatës nën kontroll./ZËRI