Aktualitet

"Zgjohuni, dilni nga kafja!"/ Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, fëmijë dhe prindër sërish në protestë: Të hetohet ngjarja!

Edhe sot, qytetarët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ku edhe njëherë kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.

k.m.
"Zgjohuni, dilni nga kafja!"/ Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani,
Pamje nga protesta

TIRANË- Prindër, nxënës dhe qytetarë kanë dalë sërish në protestë, për herë të tretë, për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Me thirrjet "Çohu nga kafja" qytetarët kanë marshuar nga shkolla 'Fan Noli' drejt Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar nga qytetarët që t'u bashkohen. Edhe sot, qytetarët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ku edhe njëherë kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Po ashtu, kërkuan edhe zbardhjen e plotë të ngjarjes që tronditi gjithë vendin. Për mediat e pranishme në protestë, prindërit kanë listuar kërkesat e tyre. 

“Jam prind i tre fëmijëve, të tre te ‘Fan Noli’. Jemi shumë të shqetësuar nga ngjarja e fundit. Ne kërkojmë që shenjtëria e jetës njerëzore të jetë në radhë të parë. Kërkojmë më tepër siguri në shkolla, rritje të numrit të psikologëve. Një edukim të posaçëm të fëmijëve për shenjtërinë e jetës. Bullizmi dhe armët e ftohta në shkolla duhet të marrin fund njëherë e mirë. Kemi pasur dhe në probleme, por jemi angazhuar për të mos i lënë të agravohen. Duhet një ndërgjegjësim dhe një edukim më i mirë. Nuk mjafton të marrë dhjeta dhe të jetë ekselent. Ne nuk do ta lëmë deri sa kjo çështje të ketë një zgjidhje, qoftë për hetimin e çështjes, qoftë për rritjen e sigurisë në shkolla,”- tha një prind.

“Ajo që ka ndodhur te Fan Noli nuk është një rast i izoluar. Nëse do ketë kontrolle në shkolla të tjera do zbulohen shumë raste. Më tmerron dhe më bën të ndihem e pasigurt ajo që mund të ndodhë,”- tha një qytetare.

“Jemi të shqetësuar, kërkojmë siguri në shkolla dhe edukim të posaçëm për fëmijët për shenjtërinë e jetës, bullizmi dhe armët në shkolla duhet të marrin fund,”- thotë një prind.

Ndërkohë, protesta paralele ka pasur edhe në rrethe ku prindër dhe qytetarë janë mbledhur në Elbasan dhe Lezhë për të protestuar. Kjo është protesta e tretë e prindërve dhe nxënësve për vrasjen e 14-vjeçarit, i cili u godit me thikë në zemër disa herë nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshi,  i cili ditën e djeshme (26 Nëntor) u dërgua në burg për të mitur. Por po ashtu ka dyshime të forta se në vendin e ngjarjes ka pasur edhe një autor të dytë, por ende nuk ka asnjë konfirmim nga ana e Policisë së Shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB