Aktualitet

Zbardhet shkaku i zjarrit në Nartë, 50-vjeçari i vuri flakën lokalit të bashkëshortes

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në Nartë, e cila fillimisht u raportua si aksidentale.

k.m.
Zbardhet shkaku i zjarrit në Nartë, 50-vjeçari i vuri
Pamje nga zjarret

VLORË- Një 50-vjeçar është vendosur në pranga pasi kamerat e sigurisë e kanë kapur duke i vendosur flakën lokalit të bashkëshortes së tij. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në Nartë, e cila fillimisht u raportua si aksidentale. Për arsye që ende nuk dihen, 50-vjeçari ndezi zjarrin në lokalin e bashkëshortes së tij me të cilën është në proces divorci, e më pas flakët u përhapën në 3 garazhet ngjitur.

NJOFTIMI I PLOTË:


Vlorë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Vlorë, operacioni policor i koduar "Flames 2". Zbardhet dhe dokumentohet djegia e qëllimshme e një objekti në fshatin Nartë, ngjarje e cila fillimisht u raportua si aksidentale. Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 50-vjeçari që dyshohet se ndezi zjarrin në lokalin e bashkëshortes së tij, i cili më pas u përhap në 3 garazhe ngjitur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore të thelluara për zbardhjen e rrethanave të djegies së një objekti, mesditën e djeshme, në fshatin Nartë, ngjarje e cila fillimisht u raportua aksidentale, bazuar në provat e administruara dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Flames 2".

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi J. X., 50 vjeç, banues në Vlorë. Nga veprimet hetimore dyshohet se 50-vjeçari, për motive të dobëta, i ka vënë zjarrin lokalit që administron bashkëshortja e tij, shtetasja B. X., me të cilën është në proces divorci. Nga përhapja e flakëve u dogjën edhe 3 garazhe të shtetasit Ll. M., ku ai mbante 1 automjet, 3 motora, arka plastike dhe produkte ushqimore. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB