
POGRADEC- Policia e Pogradecit ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së 37-vjeçarit, Egli Proga, ngjarje e ndodhur pasditen e së shtunës në lagjen nr. 1 të qytetit. Në prangat e policisë ka rënë 29-vjeçari Denis Meçe, i cili gjatë një konflikti për motive të dobëta është konfliktuar fizikisht me viktimën jashtë ambienteve të një lokali.
Por kush është Denis Meçe?
Policia thotë se 29-vjeçari Denis Meçe ka dhunuar për motive të dobëta babanë e dy fëmijëve i cili gjatë konfliktit fizik është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Meçe është nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Gorës. 29-vjeçari pas konfliktit është arratisur por tani është arrestuar dhe akuzohet për “Vrasje me dashje”.
Nga informacionet e deritanishme bëhet e ditur se gjatê një konflikti në afërsi të një lokali, viktima është goditur dhunshëm nga Meçe. 37-vjeçari ka hyrë brenda lokalit, ka qëndruar vetëm 2 minuta, e më pas ka dalë duke u rrëzuar në tokë për shkak të dhunës së shkaktuar. Proga ndërroi jetë pasi u transportua në spitalin e Pogradecit, për shkak të hemorragjisë që pësoi nga dhuna e ushtruar.
Për ngjarjen në fjalë në pranga kanë përfunduar edhe tre persona të tjerë, të identifikuar si Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi./ZËRI