
TIRANË- Vrasja e ndodhur sot në Ndroq jo vetëm që ka tronditur zonën ku u shkrepën plumbat, por ka sjellë dhe një përplasje mes kryedemokratit Sali Berisha dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në një postim në profilin e tij në Facebook, Berisha vijoi me rutinën e tij edhe pas kësaj ngjarjeje, duke publikuar të dhëna dhe denoncime që i mbërrijnë në inbox.
Këtë herë, kreu i PD-së postoi një foto të autorit bashkangjitur me një mesazh që pretendonte se personi në fjalë, Julian Gjoshi, është arrestuar, por që është lënë i lirë nga prokurori Olsi Dado, që është pjesë e strukturës së Posaçme. Denoncimi në fjalë citon mesazhe të dala nga dosja e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja. Bëhet fjalë për mesazhe të dërguara nga Altin Hajri, që është kunati i Gjoshit, kundrejt Çyrbjas, në momentin që 27-vjeçari është kapur nga Policia e Shtetit me armë zjarri. Aty përmendet dhe një person me emrin “Ols”.
Por, vetë SPAK në një reagim zyrtar, ka hedhur poshtë këtë version. Madje, u ka bërë thirrje mediave të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të pasakta dhe spekulative. Sipas SPAK, informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur.
Postimi i Berishës:
Olsi Dado liroi vrasësin nga burgu!
Miq, autorin e vrasjes në Ndroq, e liroi nga burgu anëtari i organizatës kriminale, SKAP-i i Partisë Olsi Dado!
Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital!
Pershendetje Dr Autori i vrasjes se sotme ne Ndroq Julian Gjishi rezulton si personazh ne aplikacionin Sky Eç ku Altin Hajri dhe Jurgis Çyrbja diskutonin per lirimin e tij pasi ishte kapur me arme … ku prokurori qe liroi Julian Gjoshin rezulton Ols Dado aktualisht Prokurori i SPAK.
Reagimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përgënjeshtron deklaratën e sotme përmes të cilës aludohet se prokurori i posaçëm, Ols Dado “ka liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit”. SPAK sqaron se informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur. SPAK i bën thirrje mediave dhe opinionit publik të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të pasakta dhe spekulative. SPAK apelon për një trajtim të përgjegjshëm dhe të balancuar të informacionit nga ana e përfaqësuesve politikë dhe mediave dhe nënvizon se do të vijojë punën pa asnjë kompromis në ruajtjen e integritetit dhe besueshmërisë së publikut në ushtrimin e funksioneve të tij.