TIRANË- Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka rrëzuar kërkesën e Gjon Shkambit për lirimin e tij nga qelia, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, nga nipi i tij Elvis Shkambi. Gjon Shkambi ka kërkuar një masë më të butë sigurie, me pretendimin se nuk ka qenë në dijeni të faktit se nipi i tij mbante armë në sallën e gjyqit, si dhe për planet e tij për vrasjen e gjyqtarit Kalaja.
Ndërkohë, dy ditë më parë Gjykata e Apelit liroi nga qelia Banush Koxhajn, i cili shërbente si punonjës sigurie pranë kësaj gjykate, ditën kur u ekzekutua me armë në sallën e gjyqit, gjyqtari Astrit Kalaja. Koxhaj ishte punonjësi i sigurisë në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe menjëherë pasi u vra gjyqtari Kalaja, ai u arrestua nga policia e Tiranës, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk kishte ushtruar kontroll fizik ndaj Elvis dhe Gjon Shkambit, të cilët hynë të armatosur në sallën e gjyqit.
Akuzat
Elvis Shkambi 30-vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
Gjon Shkambi 56-vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;
Banush Koxhaj 63-vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi./ZËRI