
VLORË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, prej ditës së djeshme ndodhet në Drejtorinë e Vlorës, ku ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, për të zbardhur krimin mafioz ku u vra Gëzim Sinomati.
“Po bashkëpunohet me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Janë grumbulluar një numër i madh i pamjeve filmike në zonë”,-tha Rrumbullaku.
Mësohet se Rrumbullaku ka urdhëruar hartimin e një plani të detajuar operacional kombëtar, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për goditjen e grupeve kriminale. Pjesë e analizës janë edhe dosjet e vjetra kriminale, ndërsa po bashkëpunohet me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu janë grumbulluar një numër i madh pamjesh filmike nga kamerat në zonë në kohën kur ka ndodhur vrasja e 23-vjeçarit.
Dyshohet se atentati me snajper ndaj të riut është bërë nga brenda BMW-së ku lëviznin autorët, ndërsa në momentin e ngjarjes zona ka qenë pa drita.
Gëzim Sinomataj dyshohet se është ekzekutuar për llogari të babait të tij, Sokol Buzëderri, anëtar i bandës së Gaxhait, por nuk përjashtohen as prishje të pazareve të drogës, pasi i riu prej vitesh jetonte në Belgjikë. Megjithatë hetimet vazhdojë për vrasjen e ndodhur këtë të dielë. Deri më tani, mbi 20 persona janë shoqëruar, ndërsa procesi po ndiqet nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i cili aktualisht po qëndron në Vlorë./ZËRI