
TIRANË- Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimet për dy të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Rakip Roli. Gjykata e Lezhës i dënoi ata me 47 vite burg për akuzat e “vrasjes në bashkëpunim për gjakmarrje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ngjarja ka ndodhur në dhjetor të vitit 2021, në fshatin Sanxhak të Kurbinit. Konkretisht Gjykata ka dënuar me 27 vite burg Llej Likën, i cili u gjet fajtor për veprat penale të vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje. Ndërsa si bashkëpunëtor në këtë krim u dënua me 20 vite burg dhe Klauido Gjegji (Beleshi).
Ky i fundit fillimisht u procedua per moskallëzim krimi, por referuar dosjes organi i akuzës arriti të provojë se vrasja e biznesmenit Rakip Roli është realizuar nga Llej Lika në bashkëpunim me shokun e tij Klauido Gjegji (Beleshi). Që prej momentit të arrestimit të tij dy ditë pas ngjarjes, Lika ka deklaruar para hetuesve se ka vepruar i vetëm në vrasjen e biznesmenit në shenjë hakmarrje, pasi ai bashkë me dy djemtë e tij e kishin dhunuar disa ditë para se të ndodhte krimi i rëndë. Por nga hetimet ka rezultuar se krimi është kryer në bashkëpunim me Klauido Gjegji (Beleshi) dhe trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari i Lezhës Ilir Përdeda dha dënimin maksimal për dy të rinjtë.
Biznesmeni 55-vjeçar Rakip Roli i njohur ndryshe si Pilot Rroli, u ekzekutua me breshëri plumbash automatiku mëngjesin e 10 dhjetorit të vitit 2021. Ai u qëllua teksa po lëvizte me automjetin e tij luksoz audi Q7, sapo kishte dalë nga banesa në fshatin Sanxhak të Kurbinit. 7 plumba e preken në pjesën e trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa policia arriti të zbardhte ngjarje, duke arrestuar autoret. /ZËRI