
TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar këtë të enjte tre persona, që akuzohen se kanë vjedhur një automjet tip Benz, 10 ditë më parë në Yrshek. Autorët dyshohet se e kanë vjedhur mjetin, e kanë çmontuar dhe ia kanë shitur pjesët.
Në pranga ranë shtetasit Edmond Nezaj, Rigers Nezaj dhe Gentjan Nezaj.
“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Luna”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas që vodhën një automjet, të cilin dyshohet se e kanë çmontuar në pjesë dhe i kanë shitur ato. Sekuestrohet automjeti me të cilin autorët e dyshuar dyshohet se kanë kryer veprën penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Luna”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve: – R. N., 19 vjeç, E. N., 46 vjeç dhe G. N., 43 vjeç, të tre banues në Tiranë. Nga këqyrja e pamjeve filmike dhe veprimet e tjera hetimore ka rezultuar se këta shtetas, më datë 09.10.2023, kanë vjedhur një automjet tip “Benz”, në Yrshek. Pasi e kanë vjedhur automjetin, dyshohet se këta shtetas e kanë çmontuar atë dhe pjesët e tij i kanë shitur në pika shitjesh për pjesë të përdorura automjetesh. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./Zëri.ai/