TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka refuzuar takimin Komisionit Parlamentar “Për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale”, të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, ndërsa ky i fundit ka sqaruar arsyet e kërkesës për vizitën në SPAK.
Gjatë mbledhje së Komisionit për Nismat Qytetare, bashkëpunimin dhe mbikëqyrjen institucionale, kryetari Fatmir Xhafaj, i është përgjigjur kreut të SPAK, Klodian Brahos, duke theksuar se vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare. Sipas Xhafajt, ky kontroll i komisionit në SPAK, nuk ka aspak karakter ndërhyrës, përkundrazi, shërben për të rritur bashkëpunimin mes tyre.
“Normat dhe praktikat parlamentare nuk e shohin kurrsesi funksionin kushtetues të mbikëqyrjes parlamentare si monitorim të institucioneve të pavarura dhe sidomos ndaj veprimtarisë së tyre, dhe ndaj nuk kanë aspak karakter ndërhyrës të çdo natyre qofshin ato. Vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare edhe në legjislaturën e kaluar. Shqipëria është republikë parlamentare. Kuvendi në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese shërben edhe si hapësirë e dialogut institucional ku ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet pushteteve dhe konsolidohet kultura e bashkëpunimit institucional”, theksoi Xhafaj.
SPAK refuzoi takimit me Komisionin e drejtuar nga Fatmir Xhafaj, që ishte sugjeruar të mbahej në 6 shkurt 2026, lidhur me kërkesën me një vizitë monitoruese mbi rezultatet e institucionit për pastrimin e parave. Por, kjo vizitë u refuzua nga institucioni i drejtësisë me argumentin se këto vizita janë cenim i pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme. Prokurorët e SPAK e cilësuan nismën si ndërhyrje të paligjshme dhe cenim të drejtpërdrejtë të pavarësisë kushtetuese të institucionit duke e lënë Xhafajn jashtë dyerve të prokurorisë./ZËRI