
QEPARO- Një zjarr ka përfshirë ditën e sotme një sipërfaqe pyjore në Qeparo, ku sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes është shuar plotësisht. Flakët morën përmasa të konsiderueshme për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë, duke krijuar rrezik për banesat dhe një fabrikë vaji. Ndërhyrja e menjëhershme nga toka dhe ajri bëri të mundur neutralizimin e zjarrit dhe shmangien e pasojave më të rënda.
Në operacion u përfshi helikopteri Black Hawk i Forcës Ajrore, i cili luajti një rol kyç në përballimin e vatrës aktive, ndërkohë që në terren ishin të angazhuar mjetet zjarrfikëse, efektivë të MZSH si dhe punonjës të shërbimit pyjor.
Autoritetet, përfshirë AKMC dhe Ministrinë e Mbrojtjes, apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta dhe erëra të forta. Çdo zjarr, sado i vogël të duket, duhet raportuar menjëherë për të shmangur situata të rrezikshme për jetën, pronën dhe natyrën./ZËRI