Aktualitet

VIDEO- Vodhën një shumë parash në kasafortën e një marketi, policia arreston autorët. Detaji që i zbuloi

Ata grabitën 15 milionë lekë të vjetra, por iu janë sekuestruar vetëm 8 milionë lekë.

I.F
VIDEO- Vodhën një shumë parash në kasafortën e një
Pamje nga grabitja

TIRANË- Rei Syla 21 vjeç dhe Artur Pashkaj 36 vjeç, janë identifikuar si dy autorët që vodhën para në kasafortën e një marketi në Tiranë. Ata gjithashtu rezultojnë emra të njohur për Policinë, pasi rezultojnë me precedentë penalë si vjedhje dhe grabitje.


Policia arriti t’i identifikojë pasi në një zonë që kishte kamera sigurie, para se të shkonin në banesat e tyre, hoqën kapuçët dhe maskat. Ata grabitën 15 milionë lekë të vjetra, por iu janë sekuestruar vetëm 8 milionë lekë.

Policia po heton nëse kanë pasur bashkëpunëtorë nga brenda marketit, pasi derën e kanë hapur me çelës dhe pa thyerje.

"Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, vjedhja e një shume parash në kasafortën e një marketi, në Rrugën e Dibrës. Identifikohen dhe arrestohen 2 autorët e dyshuar të vjedhjes. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, që u gjet në banesën e njërit prej tyre. Sekuestrohen edhe një pjesë e parave të dyshuara të vjedhura dhe veshjet e përdorura nga autorët gjatë vjedhjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të depozituar nga një shtetas, se dy shtetas të paidentifikuar i kishin vjedhur një shumë parash në kasafortën e biznesit të tij, në Rrugën e Dibrës, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat, gjatë operacionit policor të koduar "Kasaforta", u identifikuan dhe arrestuan dy autorët e dyshuar, shtetasit:  

- R. S., 21 vjeç, banues në Pukë, për veprat "Vjedhja" me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuar nga nenet 134/3-25 dhe 278/1 të Kodit Penal;

- A. P., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Vjedhja" me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/3-25 i Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më datë 21.10.2024, pas mesnate, kanë vjedhur 1 500 000 lekë në kasafortën e një marketi në Rrugën e Dibrës. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur të groposur 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me municionin luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pjesë të parave të dyshuara të vjedhura dhe veshje që autorët kanë përdorur gjatë vjedhjes. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njofton policia. /ZËRI

Poll

MOS HUMB