
TIRANË- Autoriteti i Konkurencës ka gjobitur më 10 Maj me 7.5 milionë lekë të vjetra, Star Parking Albania, që menaxhon parkingjet në Aeroportin e Rinasit, të mjeteve dhe avionëve. Në vendimin e Autoritetit të Konkurencës thuhet se kompania pavarësisht se është gjobitur njëherë për të njëjtat shkelje dhe në vitin 2022 dhe në vitin 2023 ka pasur rritje të tarifave, çmime të ndryshme për klientë të ndryshëm, nuk ka hartuar ende një metodologjie të qartë të vendosjes së çmimit, ndërsa vijon të ketë monopolin në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Pas hetimit të kryer tek kompania Star Parking Albania, AK i la detyrim të hartojë një metodologji për llogaritjen e kostove për formimin e çmimit të telepasit, kalimit të mjeteve, dhe të aplikojë tarifa të orientuara drejt kostos, për ndërmarrjet që pajisen me telepas si dhe për çdo shërbim tjetër. Më tej Autoriteti i Konkurencës i kërkoi kompanisë që të mos abuzojë me tarifat duke përfituar nga statusi dominues.
Por pavarësisht këtyre porosive, duket se kompania nuk ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmbushje të tyre. Ndërkohë, më 22 nëntor 2023 kompania në një letër dërguar Autoritetit të Konkurencës shprehej se ka hartuar një analizë, por se nuk ka ndonjë referencë ligjore për mënyrën e llogaritjes së kostove. Sipas AK, nga kontrollet ka rezultuar se kompania nuk e ka hartuar metodologjinë për llogaritjen e kostove për formimin e çmimit të telepasit.
Po ashtu problem si pas Autoritetit të Konkurencës, është dhe fakti se Star Parking Albania ka kryer abuzime dhe me tarifat që i janë vendosur kompanive të caktuara.
“Pavarësisht se ndërmarrja Star Parking është shprehur se, nuk ka aplikuar dhe nuk parashikon të aplikojë asnjë rritje të tarifave të telepaseve, duke i krahasuar këto tarifa me periudhën para marrjes së vendimit nga Komisioni i Konkurrencës, pra për periudhën janar qershor 2021, detyrimi mujor për ndërmarrjet që operojnë në transportin e udhëtarëve (shërbimi autobus) nga TIA ka qenë 18,000 lekë/muaj për 1 telepas, ndërsa gjatë periudhës së monitorimit kjo tarifë ka qenë 36,000 lekë/copa për 1 telepas. Vihet re një rritje e çmimit të telepasit nga 18,000 lekë/copa në 36,000 lekë/copa. Ndërmarrje të cilat janë kompani ajrore si psh. Alba Ëings në 2022, për një kohëzgjatje 1 vit, për 1 telepas ka paguar vlerën 72,000 lekë ndërsa ndërmarrja Air Albania në vitin 2023 për një kohëzgjatje 1 vit, për 2 telepas në vlerën 180,000 lekë, detyrimin total 360,000 lekë”, thuhet në vendim./ZËRI