
TIRANË-Gazetarja Klodiana Lala, ka zbuluar detaje nga qëndrimi i Erion Veliajt në paraburgimin e Durrësit. E ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Lala zbuloi se Veliaj ka kërkuar psikiatër pasi pretendon se ka qenë në gjendje të rënduar dhe për këtë arsye ka folur në mënyrën që kanë treguar përgjimet e SPAK. Gazetarja ka treguarse Veliajt i është kërkuar nga drejtoria e burgut, të transferohet në qendrën spitalore të burgjeve për ekzaminime, por ai nuk ka shkuar.
Klodiana Lala: Veliaj pasi është bërë me dije për përgjimet, ka pretenduar se nuk është në gjendje të mirë psikologjike, ka kërkuar konsultë me psikiatrin, ka thënë nuk kam qenë në situatën më të mirë mendore se është e pamundur të kem folur në këtë mënyrë. Ulsi Manja ka bërë një urdhër, është bërë inspektim nga Drita Jaka, shefe e sektorit të shëndetësisë në burgje, zyrtarja më jetëgjatë në këtë institucion. Zonja Jaka para se të merrte kontakt, ka bërë një inventar të të gjithë barnave që kanë hyrë. Është bërë inventar për barnat në gjendje dhe ato që i janë dhënë të paraburgosurëve. Në bashkëpunim edhe me mjeken e burgut kanë marrë kontakt me zotin Veliaj dhe rezulton se ai ka marrë vetëm ilaçe për tensionin, ka patur problematika me tensionin e lartë. Zotit Veliaj i është kërkuar nga drejtoria e burgut, të transferohet në qendrën spitalore të burgjeve për ekzaminime, nuk ka shkuar. Zoti Veliaj si çdo i paraburgosur mund të ketë shqetësime shëndetësore. Pra këtë thotë raporti. Zoti Veliajt duhet ti respektohen të gjithë të drejtat, jam për trajtimin e tij human, si çdo i paraburgosur. Për një periudhë të gjatë zyrtarët e lartë nuk rrinin në burg, se i bënin ose me probleme psikologjike, klaustrofobike, të zemrës e me rradhë në spitale me pesë yje. Ke edhe sot zyrtarë të lartë që rrinë në spitale private. Është problem thelbësor po ti hysh kësaj. Ju e dini si ka qene burgu i Durrësit. Aty për kohë me rradhë, hynte drogë, çfarëdo lloj ushqimi, kishte palestër….
Një ditë më parë (20 mars) kyebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt i është komunikuar një akuzë e re, ajo e "futjes ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” në bashkëpunim.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste.
Veliaj akuzohet se ka përfituar 3 vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI