
SUKTH – Policia ka arrestuar sot bashkëshortin e Bedrie Lokës, Xhemal Lokën, në lidhje me vetëhelminin e 41-vjeçares. Efektivët e Durrësit, përpos pistës së dhunës në familje, nuk përjashtojnë edhe atë të vrasjes.
Pasi është marrë në pyetje në komisariat, bashkëshorti Xhemal Loka ka thënë se arsyeja e vetëvrasjes së gruas së tij mund të kenë qenë talljet në TikTok. Pikërisht bashkëshorti, Xhemal Loka ka qenë i pari që e ka gjetur bashkëshorten pa shenja jete të martën në mëngjes dhe e ka dërguar në spital, ku gruaja humbi jetën.
Ngjarja fillimisht u raportua si një vetëvrasje e rëndomtë, që nuk kishte shumë rëndësi, derisa dikush duket se ka ngritur zërin për atë që kishte ndodhur dhe gjithçka u bë mediatike. TCH raporton se Bedrie Loka edhe drejt banesës së fundit është përcjellë në heshtje të madhe dhe si me turp, sikur nuk bëhet fjalë për grua të re që kishte humbur jetën.
Të premten, një ditë pasi është kryer varrimi, dyert e familjes Loka kanë qenë të hapura për mort. Mirëpo, morti nuk ndihej askund. Kunata ka deklaruar se vendimi ka qenë i vëllait, bashkëshortit së Bedries, Xhemal Lokës. Kunata në asnjë rast nuk kishte marrë për bazë fjalët që qarkullonin në lidhje me 41-vjeçaren.
Bedrie Loka kishte qenë në shenjestër në Tik Tok, teksa emri i saj, me fotografi dhe fjalë denigruese, ishte poshtëruar në formën më të ulët. 41-vjeçarja kishte parë postimet në TikTok dhe nuk ka heshtur, por ka guxuar dhe ka denoncuar postimet denigruese dhe fjalët që kalojnë çdo limit njerëzor. Të afërmit e saj dhe komshinjtë shprehen se ajo punonte në fabrikë dhe se ka rritur 4 fëmijët e saj thuajse e vetme, pasi bashkëshorti kishte qenë edhe në burg jashtë shtetit.
Edhe fëmijët e mëdhenj kanë punuar në fabrikë, pasi Bedrie Loka nuk ia dilte e vetme që të siguronte të ardhurat për familjen. Ajo tashmë dy nga fëmijët i kishte në moshë madhore. Bedrie Loka më herët kishte shitur edhe qumësht, kur ka mbajtur lopë, teksa komshinjtë flasin për një grua punëtore. Për shkak të situatës që ishte krijuar, fëmijët e Bedries e kishin lënë punën në fabrikë, ndërsa ajo kishte vijuar. Kjo situatë zgjati deri kur bashkëshorti erdhi në shtëpi për festat e fundvitit.
Bedrie Loka duket se ka vendosur të vdesë, në ditën që ishte bërë nënë për herë të parë. Burri i saj kishte qenë në burg në Francë, ndërsa pas burgut ka qenë në Greqi, duke shkuar nga mali. Më 2 janar, Bedrie Loka i dha fund jetës me fostoksinë. Ende nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar vetëvrasjen e 41-vjeçares, dhuna apo bullizmi, por duket se situata ka qenë përfundimisht e padurueshme për të dhe vendosi t’i japë fund jetës./ZËRI/