Aktualitet

Vdekja e 14-vjeçarit tek shkolla "Fan Noli", Ministria e Arsimit: Të zbardhet ngjarja!

MAS ka bërë thirrje që të zbardhet kjo ngjarje e rëndë menjëherë.

I.F
Vdekja e 14-vjeçarit tek shkolla "Fan Noli", Ministria e
Ministria Arsimit

TIRANË- Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në shkollën “Fan Noli”, ku një nxënës 14-vjeçar u godit për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar. MAS ka bërë thirrje që të zbardhet kjo ngjarje e rëndë menjëherë.

“Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike e ndodhur sot në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë, ku një konflikt mes tre të miturve çoi në humbjen e jetës së njërit prej tyre, nxënës i shkollës “Fan Noli”.

Ngushëllimet tona më të sinqerta i shkojnë familjes së nxënësit që humbi jetën, ndërsa urojmë shërim të shpejtë për nxënësin tjetër. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga institucionet ligjzbatuese që të kryejnë zbardhjen e menjëhershme të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut, i bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Arsimit, Pushteti Vendor, komunitetit dhe të gjithë shoqërisë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka marrë në vazhdimësi, dhe është duke zbatuar masa konkrete për të garantuar që procesi i mësimdhënies, në të gjitha shkollat e Shqipërisë, të kryhet në mënyrë sa më të sigurt, të rregullt e me standarde.

Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Sportit është maksimalisht e angazhuar për të siguruar mjedise sa më të sigurta për zhvillimin normal të mësimit në të gjithë Shqipërinë, mbetet gjithmonë thelbësor roli sa më aktiv i të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të policisë së shtetit, institucione arsimore por edhe komuniteti, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen,”- thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Një sherr me thika ndodhi këtë mesditë tek shkolla “Fan Noli” në Tiranë. Si pasojë e sherrit mbeti viktimë një 14-vjeçar. Mësohet se në sherr janë përfshirë 7 adoleshentë. Ndërsa autori i dyshuar është po një tjetër 14-vjeçar, i cili po ashtu mori plagë në krahë dhe po merr ndihmë mjekësore në një spital privat. /ZËRI

Poll

MOS HUMB