
TIRANË- Largimi i Alfred Pezës nuk ka sjellë asnjë ndryshim në korridoret e Radio Televizionit Shqiptar, ku tashmë ‘viktimë’ e pushimeve të padrejta janë bërë dy moderatorët e emisionit të mëngjesit. Njëri prej tyre, Ardit Murataj ka paralajmëruar padi në SPAK për drejtuesit e RTSH-së, që sipas tij e kanë pushuar në mënyrë të padrejtë nga puna.
Përmes një video që ka publikuar me përfaqësuesin e tij ligjor, Murataj shprehet se kontratat e punës që ka firmosur janë pa numër protokolli, ndërkohë që një tjetër usb që sipas tij është dorëzuar sot në Prokurorinë e Posaçme, ku ka materiale audio dhe video që provojnë çfarë ndodh në RTSH.
“Kjo këtu është për SPAK, nesër në mëngjes, çuna dhe goca keni ca filmime ju të RTSH-së, që Zot na ruaj. Më krahë të lehta atje ku të shkoni, Viso dy paketa”, shprehet avokati i Muratajt.
Sipas moderatorit, kontrata ishte për një sezon të plotë televiziv ndërkohë që ai ka realizuar vetëm 20 emisione.
Murataj u mor që të zëvendësonte Valbona Mhillin dhe Ermal Qorin. Të dy u pushuan nga puna në maj të këtij viti për shkak se gafat që bënë në emision u bënë virale në rrjetet sociale. /ZËRI