Aktualitet

U tremb nga tërmeti dhe u rrëzua nga shkallët, humb jetën 20-vjeçari në Lushnje

Dyshohet se në panik e sipër 20-vjeçari është rrëzuar nga shkallët, ndërkohë që dëmtimi i tij ka rezultuar fatal.

E.K
U tremb nga tërmeti dhe u rrëzua nga shkallët, humb jetën
Foto ilustruese

LUSHNJE- Tërmeti që ra mbrëmjen e djeshme në Shqipëri ka shënuar viktimën e tij të parë.

20-vjeçari Daniel Rika, nga Lushnja, humbi jetën ndërsa ra nga shkallët pasi tentoi të largohej nga banesa në momentin kur po ndodhnin lëkundjet sizmike. Ai ra nga shkallët e katit të dytë, dhe fatkeqësisht ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Dyshohet se në panik e sipër 20-vjeçari është rrëzuar nga shkallët, ndërkohë që dëmtimi i tij ka rezultuar fatal. Mësohet se 20-vjeçari ka qenë në gjumë në momentin e lëkundjeve, ndërsa në banesë jetonte me prindërit e tij.

Të afërm të viktimës kanë folur për mediat, duke thënë se i riu vuante nga sëmundje të shëndetit mendor.

“Nipi ka qenë i sëmurë. Mesa mora vesh unë është trembur është çuar dhe ka rënë dhe ka vdekur. Nuk e di se si ka rënë. Unë tani erdha në spital sepse isha te shtëpia dhe më thanë që e ka marrë ambulanca dhe e ka prurë. Ka qenë i vdekur kur e kanë sjellë në spital. Ai ishte i sëmurë, ka qenë shtruar”, tha një i afërmi i viktimës për mediat lokale. 

Ndërkohë që policia në njoftimin e dhënë për mediat, deklaron se i riu ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale në dhomën e tij.

Trupi i pajetë i të riut është dërguar në morgun e spitalit të Lushnjes ku pritet t’i ushtrohet një ekspertize mjeko-ligjore. Pak pas mesnate mbrëmjen e djeshmje lëkundje tërmeti u ndjenë në disa qytete të vendit.

Sipas Institutit të Gjeoshkencës tërmeti me magnitudë 4.3 i shkallë rihter dhe thellësi 20.8 km ka pasur epiqendrën në fshatin Shalës të Elbasanit.

Tërmeti është ndjerë edhe në qytete të tjera si Tiranë, Lushnje, Durrës, Berat, Fier.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB