TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për Durim Bamin, i cili u ekstradua të enjten nga Dubai drejt Shqipërisë. Mediat bëjnë me dije se Bami nuk ishte i pranishëm në seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës, Ilir Murati. Ky i fundit kërkoi nga gjykata zëvendësimin e masës me një masë më të butë, arresti shtëpiak, por kërkesa u rrëzua nga trupa gjykuese.
Organi i akuzës, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), u përfaqësua në seancë nga prokurori Altin Dumani. Gjatë shqyrtimit të masës së sigurisë, avokati Murati ngriti shqetësimin para trupës së kryesuar nga gjyqtari Erion Çela, duke pretenduar se jeta e klientit të tij rrezikohet në ambientet e burgut 313.
Kërkesa për transferim në një institucion tjetër të vuajtjes së dënimit, e paraqitur një ditë më parë, pritet të shqyrtohet nga Drejtoria e Burgjeve në bashkëpunim me prokurorinë e SPAK. Në kërkesën e avokatit mbrojtës të "të fortit të Niklës", thuhet se Bami ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe është në stres të vazhdueshëm, pasi në burgun ku ai mbahet aktualisht ndodhen persona, të cilët në të kaluarën kanë siguruar kushte për vrasjen e tij.
Durim Bami nga Dubai kërkoi rrëzimin e ekstradimit në Shqipëri me pretendimin se në këtë vend i rrezikohet seriozisht jeta, pasi është përndjekur në mënyrë sistematike nga 18 persona, që ai i quan anëtarë të grupeve kriminale, të cilët duan ta vrasin. Ndër emrat që ai listoi ishin ish-deputeti Arben Ndoka, Behar Bajri, Emiljano Shullazi, Ervis Martinaj, Astrit e Aldo Avdylaj dhe emra të tjerë të njohur në botën e krimit.
Bami u arrestua në Dubai dy vite më parë, më 12 qershor të vitit 2024, teksa ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit Revanshi. Akuzat zyrtare kundër tij janë ajo e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen”, të Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Njëherësh, Durim Bami, akuzohet nga SPAK dhe për “Kultivim të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. /ZËRI
